Procedurat e regjistrimit të koalicioneve, partitë propozojnë hartimin e një rregulloreje
Përfaqësuesi politik i Partisë Aleanca Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve propozoi miratimin e një rregulloreje për mënyrën e krijimit të koalicioneve. Ai kërkoi që për regjistrimin e koalicioneve për në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit të respektohen disa kritere. Kjo, sipas tij, do të ndihmonte në ecurinë e procesit zgjedhor. Kriteret do të krijonin lehtësira në regjistrimin e koalicioneve. “Dokumentacioni që duhet të dorëzojnë partitë politike duhet të jetë më i vogël se ai që kërkon deri sot KQZ-ja”,- u shpreh përfaqësuesi i PAD-së. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, deklaroi se hartimi i një rregulloreje të tillë nuk do të ishte i nevojshëm. “Për regjistrimin e koalicioneve nuk ka pasur asnjëherë probleme”, - tha ai. Kreu i KQZ-së deklaroi se procedura për regjistrimin e partive politike në zgjedhjet e mëparshme ka qenë pozitive. Kodi Zgjedhor thotë se afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve është 45 ditë para datës së zhvillimit të zgjedhjeve. Regjistrimi i koalicioneve për zgjedhjet e 28 qershorit përfundon më 13 maj. Deri në këto momente në KQZ asnjë koalicion nuk ka paraqitur dokumentacionin për regjistrim. Sistemi i ri zgjedhor, proporcional rajonal, me të cilin do të konkurrohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ka nxitur pothuajse të gjitha partitë, të majta e të djathta, që të bëjnë kalkulimet e tyre për avantazhet dhe disavantazhet që përfitojnë nga garimi me koalicione përkrah dy partive të mëdha, apo nga garimi me koalicione më vete. Vetë sistemi proporcional rajonal nxit formimin e koalicioneve dhe bashkimin në to të të gjitha partive. Megjithatë, ndryshe nga sa mund të ishte parashikuar, në zgjedhjet e ardhshme nuk do të paraqiten vetëm koalicionet e dy partive të mëdha, PS e PD, por edhe dy koalicione të tjera, të cilat priten të udhëhiqen nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokristiane.
8 Maj 2009