Topalli ndalet në Fushë-Arrëz: “PD-ja ka ndërtuar një Shqipëri të re”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u ndal dje në Fushë-Arrëz. Gjatë fjalës së saj para banorëve të Fushë-Arrëzës Topallu i shpreh se “edhe pse një ndër bashkitë më të largëta në veri të vendit, kjo zonë ka afruar distancat me qytetet e tjera, ka ndryshuar ndjeshëm falë investimeve prej afro 800 milionë lekë të buxhetit të shtetit”. Më tej kryetarja e Kuvendit ka vlerësuar ndryshimet që ka pësuar kjo zonë për shkak të investimeve të qeverisë dhe reformave të ndërmarra prej saj, ndërsa ka shtuar se PD-ja ka ndërtuar tashmë një Shqipëri të re. “Ne së bashku jetojmë në një Shqipëri që sot është bërë e re. Një Shqipëri që është bërë e re, sepse ka rrugë të reja, infrastrukturë të re, sepse ka shkolla të reja, sepse ka një rini të fortë, e cila ka dyfishuar numrin e atyre që po shkojnë në universitete. Një Shqipëri e re, sepse ne kemi bërë kudo laboratorë kompjuterikë. Ne kemi fëmijë të zgjuar, fëmijë që mësojnë, fëmijë të mrekullueshëm dhe ne do t’i mbrojmë ata dhe do të bëjmë të mundur që t’i krijojmë më shumë mundësi atyre. Kjo është Shqipëria e re. Kjo është Shqipëria e ndryshuar”, - është shprehur Topalli.
8 Maj 2009