E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, letër Kuvendit: “Nuk paraqitem në një komision antikushtetues”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës është në pritje të vendimit të Kushtetueses. Xhaferri: “Kjo është një marrëzi e Ramës, ai po pengon hetimin”

Eljona Ballhysa
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka firmosur dje një letër drejtuar Kuvendit, në të cilën bën të ditur arsyet e mosparaqitjes së tij në Komisionin hetimor të ngritur nga PD-ja. Në letrën drejtuar këtij komisioni, kryebashkiaku argumenton se ky komision është antikushtetues. Ai bën të ditur se ka paraqitur ankimim në Gjykatën Kushtetuese dhe se nuk e njeh këtë komision deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Kjo përgjigje është komentuar nga kryetari i Komisionit parlamentar hetimor, Ferdinand Xhaferri, si një marrëzi e radhës e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Sipas Xhaferrit, një individ nuk mund të pengojë punën e një komisioni parlamentar. Xhaferri ka shtuar se puna e Komisionit mund të pezullohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese, dhe jo nga kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Letra
“Ashtu siç është bërë publike, Bashkia e Tiranës, duke konstatuar antikushtetutshmërinë dhe kundërligjshmërinë e ngritjes së këtij komisioni, përgatiti kërkesë-padinë me argumentet përkatëse, të cilën e depozitoi pranë Gjykatës Kushtetuese. Në vijim, në drejtim të Bashkisë së Tiranës ka ardhur një shkresë e dytë nga Kuvendi i Shqipërisë, e cila kishte bashkëlidhur kërkesën me nr. prot. 1343, dt.06.05.2009 të Komisionit hetimor, për paraqitje në seancë dëgjimore të Drejtorisë së Përgjithshme të Kontrollit të Zhvillimit Urbanistik dhe Territorit, lidhur me praktikat dhe procedurat e lejeve të ndërtimit, të dhëna nga KRRT-ja e Bashkisë së Tiranës. Bashkia e Tiranës, duke argumentuar se ky komision hetimor është miratuar në papajtueshmëri të plotë me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në kundërshtim flagrant me ligjin, i është përgjigjur zyrtarisht Kuvendit se nuk do të zbatojë asnjë kërkesë të Komisionit hetimor të Kuvendit, përpara se të shprehet Gjykata Kushtetuese”, - shkruhet në letrën që kryebashkiaku ka dërguar pranë Komisionit hetimor parlamentar. Duke komentuar këtë përgjigje të kryebashkiakut, deputeti Xhaferri e cilësoi atë një marrëzi ligjore. “Kjo është një marrëzi ligjore, pasi një individ nuk mund të pengojë vendimin e sovranit. Vetëm Gjykata Kushtetuese mund të pezullojë veprimtarinë e Komisionit. Neni 23 i Kushtetutës thotë se 'e drejta e informimit është e garantuar dhe kushdo ka të drejtë të marrë informacion mbi veprimtarinë e organeve shtetërore dhe personave që i drejtojnë ato’”, - është shprehur Xhaferri.
Dëshmitë
Më tej, Komisioni hetimor, i përbërë vetëm nga anëtarët e PD-së, ka vazhduar mbledhjen duke marrë në pyetje përfaqësues të Agjencisë së Prokurimeve Publike dhe të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Tiranës. Drejtoresha e Agjencisë së Prokurimeve Publike, Klodiana Cenkaj, i informoi anëtarët e Komisionit mbi ligjshmërinë e procedurave të tenderave publikë në projektet e këtij institucioni. “Nga një hetim i përciptë evidentojmë se në vitin 2008 procedura e përzgjedhur nga Bashkia është e gabuar për të gjitha rastet e projektimeve, dhe jo vetëm të ndërtimit të objekteve. Bashkia e Tiranës operon me procedurë të hapur, që është procedura e gabuar në këtë rast, pasi ligji detyron procedurën e shërbimit të konsulencës”, - tha drejtoresha Cenkaj. Ajo sqaroi se “procedura e prokurimit të hapur është më transparente, por kjo nuk do të thotë se ajo mund të zgjidhet në çfarëdolloj tenderi”. “Po t’u referohemi dokumenteve të Bashkisë në këtë rast, ajo ka gjetur një formë pikëzimi, sepse e ka pasur të pamundur ta aplikojë këtë procedurë të hapur. Për këtë Bashkia ka bërë një adoptim të dokumenteve të tenderit, duke shkelur ligjin e prokurimeve. Askush nuk mund të bëjë ndërhyrje në dokumentet standarde të tenderit dhe mënyra e pikëzimit e aplikuar nga Bashkia është në kundërshtim me ligjin”, - tha Cenkaj.
Anëtari i KRRT-së së Tiranës, Marin Biçoku, duke folur mbi praktikat që ndiqen në dhënien e lejeve të ndërtimit, tha se “përpunimi i dosjeve, përgjegjësia e hartimit të politikave dhe kontrolli ligjor për to i takon Bashkisë së Tiranës.
Objekti i hetimit është i drejtë, por debati duhet të jetë më i madh se kaq. Tirana në këto vite është udhëhequr me tualet, me bojë e penelat. Problemet e mëdha janë brenda trupit të saj”, - tha Biçoku. Sipas tij, “KRRT-ja po i shqyrton dosjet pa ligjet vendore, dhe kjo e vështirëson punën. Por ne nuk mund të rrimë në pritje të planit rregullues dhe të bllokojmë vendimmarrjen e qytetit. KRRT-së i mungojnë rregullat e lojës, pasi Bashkia nuk ka dashur asnjëherë t’i hartojë këto rregulla loje”, - është shprehur Biçoku dje në Komisionin hetimor parlamentar.

Pretendimet e Bashkisë

Ngritja e Komisionit vjen në kundërshtim të plotë me Nenin 4, pika 6 të Ligjit nr.8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, i cili përcakton se: “Komisionet hetimore nuk mund të ngrihen gjatë 4 muajve para mbarimit të mandatit të Kuvendit”.

Komisioni hetimor është në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe parimet themelore të sanksionuara në të, duke përfshirë: parimin e ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve (Neni 7) si dhe parimin e autonomisë vendore (Neni 13).

Neni 4 i Ligjit për autonominë vendore përcakton se: “Komisionet hetimore të Kuvendit ngrihen dhe funksionojnë mbi bazën e parimeve kushtetuese dhe rregullave të përcaktuara në këtë ligj”.

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese (nr.18/2003; apo Vendimi nr.26/2006), shprehen qartazi se Parlamenti i Shqipërisë nuk mund kurrsesi të hetojë një pushtet të pavarur si pushteti lokal.

8 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›