Basha falënderon SHBA për mbështetjen
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, ka deklaruar dje në takimin e Adriatik-Balltik-Adriatik, i cili zhvillohet në Letoni se Karta e Partneritetit Adriatik A3 ndërmjet Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë dhe Shteteve të Bashkuara është një histori suksesi që ka kontribuar në mënyrë vendimtare në përshpejtimin e ritmit të reformave dhe në përmirësimin e klimës së mirëbesimit ndërmjet nesh. Ministri Basha ka falënderuar edhe në emër të kolegëve të tij të Kartës së Adriatikut, për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara dhe tri vendet balltike i kanë dhënë vendeve të Kartës së Adriatikut në rrugën e tyre të anëtarësimit në NATO, si dhe theksoi rëndësinë e vijimit të parimit të "dyerve të hapura" të Aleancës për vendet që dëshirojnë anëtarësimin në NATO. Duke folur për Kosovën, kreu i diplomacisë shqiptare ka theksuar se shteti i ri, tashmë shërben si faktor stabiliteti në rajon. Zyra e shtypit të Ministrisë së Jashtme bën të ditur se në ndërhyrjet e tyre në takim, ministrat vlerësuan rolin stabilizues të KFOR-it në Kosovë dhe konfirmuan se zhvillimet në Kosovë janë faktor kyç në sigurinë e rajonit. Zv.asistent i sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Stuart Jones ka vlerësuar shumë të suksesshme reformat e ndërmarra nga tri vendet e Kartës në arritjen e standardeve të kërkuara, të cilat i konsideroi si kyçin e vendimit të marrë në Bukuresht dhe më vonë në procesin e ratifikimit të Protokolleve të Aderimit në NATO për Shqipërinë dhe Kroacinë nga të gjitha vendet anëtare të Aleancës në një kohë rekord.