E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO, Withers takon Berishën para samitit

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO me të drejta të plota dhe realizimi i zgjedhjeve në përputhje me standardet kanë qenë objekt i diskutimit dje mes Kryeministrit Sali Berisha dhe ambasadorit të SHBA-ve në Tiranë, Xhon Withers. Takimi është zhvilluar rreth mesditës pa praninë e mediave, por zyra e shtypit të Kryeministrit bëri të ditur se pjesë kryesore e diskutimit ka qenë samiti i NATO-s, ku Shqipëria pritet të anëtarësohet me të drejta të plota. Kryeministri Berisha e ka cilësuar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si ngjarja më e madhe në politikën e jashtme dhe të sigurisë së Shqipërisë pas pavarësisë së saj. Me këtë rast, ai i ka shprehur ambasadorit Withers mirënjohjen më të thellë, për përkrahjen dhe ndihmën, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qeveria amerikane, në veçanti Presidenti Bush dhe tashmë Presidenti Obama dhe administrata e tij, i dhanë Shqipërisë për realizimin e këtij projekti madhor kombëtar për të gjithë shqiptarët. Pjesë e bisedës mes Kryeministrit Berisha dhe ambasadorit Withers ka qenë edhe procesi i zgjedhjeve parlamentare që do të zhvillohen më 28 qershor. Kryeministri e ka siguruar ambasadorin amerikan se qeveria shqiptare është tërësisht e angazhuar dhe po bën çdo përpjekje për të garantuar suksesin e tyre, si zgjedhjet më të mira të realizuara ndonjëherë në Shqipëri, të lira e transparente, konform të gjitha standardeve ndërkombëtare. Pak ditë më parë, gjatë një interviste për "Shqip", sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hup Shefer, tha se, pranimi i Shqipërisë dhe Kroacisë, do të jetë një hap i madh në drejtim të ndërtimit të një Evrope të bashkuar e të lirë. Për këtë Shqipëria ka nevojë të vazhdojë zbatimin e reformave, siç është forcimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit. Anëtarësimi në NATO, nuk ndryshon prioritetin me të cilin këto reforma duhen vazhduar. Për NATO-n, anëtarësimi i Shqipërisë me të drejta të plota nuk do të thotë se ndalohet procesi i realizmit të reformave të kërkuara. NATO vlerësoi reformat e ndërmarra për modernizimin e Forcave të Armatosura, por pret që vendi ta vazhdojë më tej këtë proces. Aleanca insiston te ritrajnimi i personelit aktual sikurse eliminimi i arsenalit të vjetër ushtarak, në mënyrë të përgjegjshme dhe sipas standardeve të sigurisë. Samiti i NATO-s do të mbahet në datat 3-4 prill në Strasburg/Kehl dhe pritet të japë përfundimisht statusin e vendit anëtar për Shqipërinë dhe Kroacinë. Dy vende këto, pjesë të kartës së "Adriatik 3" që me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës hedhin një hap të rëndësishëm në proceset integruese.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›