Meta prezanton gjashtë kandidatë në Berat
Lëvizja Socialiste për Integrim prezantoi dje gjashtë prej deputetëve që do të kandidojnë nën logon e kësaj partie në Qarkun e Beratit. Kreu i LSI ka zhvilluar disa takime të njëpasnjëshme në Berat për të publikuar emrat e kandidatëve të partisë që drejton. Në krye të kësaj liste është Nasip Naço, të ndjekur nga Mustafa Muçi, ish-deputet, Petrit Ago, Tomorr Kapllani, Sadik Muka dhe Gledian Rohovica. Për të plotësuar të gjithë listën e kandidatëve për Beratin, Meta duhet të zbardhë ende edhe dy emra të tjerë. Gjatë takimeve që pati në disa zona të ndryshme të Beratit si në Lumas apo Roshnik, Meta vuri në pah sukseset e qeverisë së tij kur ishe Kryeministër. Ai shprehu keqardhje që nuk arriti dot të mbaronte së ndërtuari rrugën Lushnjë-Fier dhe atë të Llogorasë. "Megjithatë, ne kemi bërë me shumë rrugë në tetë vite qeveri se çka Berisha, i cili i gjeti gati të përfunduara dhe ende s‘i ka mbaruar", tha Meta. Më tej, referuar bashkëpunimit paszgjedhor të së majtës, kreu i LSI konfirmoi edhe një herë se ai do të jetë me forcat e majta e veçanërisht me Partinë Socialiste.