Zgjedhjet, deputetët takim në gjendjen civile
Komisioni për Reformën Zgjedhore ka preferuar që mbledhjen e dytë të tij të mos e zhvillojë në zyrat e Kuvendit, ashtu siç bën gjithmonë, por të mblidhen në ambientet e Drejtorisë se Gjendjes Civile, ku kanë inspektuar punën e këtij institucioni. Qëllimi i këtij inspektimi ka qenë për t‘u njohur më nga afër me punën e kësaj drejtorie në lidhje me shpërndarjen e kartave të identitetit, pajisjen e tyre për ata persona që nuk kanë pasaporta dhe çfarë po ndodh me regjistrin themeltar, nëse po përditësohet nga pastrimi i dublikimeve apo jo. Pas këtij inspektimi, ashtu siç ndodh gjithmonë, palët kanë ndarë qëndrime të ndryshme. Anëtari i mazhorancës në këtë komision, Tritan Shehu, ka theksuar se po punohet shumë mirë dhe se qeveria është e qetë në lidhje me procesin e pajisjes me karta, proces i cili, sipas tij, do të mbyllet brenda të gjitha afateve. Për Shehun, shifrat e opozitës janë empirike, sepse, thekson ai, sipas shifrave zyrtare rezulton se vetëm në kryeqytet janë pajisur me karta 50 mijë shtetas që nuk disponojnë pasaportë ndërkombëtare, nga 85 mijë që rezulton të jenë gjithsej. Ndërsa deputeti i PS-së, Blendi Klosi, anëtar i këtij komisioni, ka theksuar pas inspektimit se po ecet shumë ngadalë në të gjithë vendin për pajisjen e shtetasve me karta identiteti. Sipas tij, ka shkelje të mëdha në proces, duke filluar nga mosrespektimi i kontratës koncesionare deri te shpërndarja. Në emër të opozitës, Klosi i ka kërkuar edhe njohur qeverisë të shpërndajë kartat falas për ata që nuk kanë kushte ekonomike për t‘i blerë.