Berisha sulmon Ramën: Po rrit taksat vendore
Kryeministri Sali Berisha shfrytëzoi dje mbledhjen e qeverisë për të sulmuar kryetarin e bashkisë, Edi Rama. Sipas kreut të shumicës, pushteti vendor po rrit disa taksa duke shtuar pakënaqësi sidomos te biznesi i vogël, por mbi të gjitha kjo bie ndesh me filozofinë e qeverisë për të ndihmuar këtë kategori. Berisha theksoi se qeveria do të ndërhyjë në mbrojtje të biznesit të vogël, ndaj të cilëve disa nga njësitë e qeverive vendore kanë rritur taksat në mënyrë të ndjeshme. "Marr sinjale të njëpasnjëshme se në disa bashki dhe komuna të vendit, ndërkohë që qeveria i ka ulur taksat deri në masën 50%, autoritetet vendore kanë rritur në mënyrë të ndjeshme disa lloje taksash mbi biznesin", tha Berisha. Sipas tij, të rrisësh taksat për biznesin e vogël në këtë periudhë, është një masë jashtëzakonisht e dëmshme për ta, për punësimin dhe vjen në një kundërthënie të hapur me përpjekjet e qeverisë për të amortizuar pasojat e krizës, për të mos thënë se vjen në një kundërthënie të hapur me filozofinë tonë të taksave të ulëta", është shprehur Kryeministri Berisha. Më tej, Kryeministri solli në vëmendje se edhe vitin e kaluar është ndërhyrë në mbrojtje të biznesit të vogël, pasi u shfaq tendenca për të rritur taksën e gjelbërimit, taksën e pastrimit etj. Drejtuar zyrtarëve dhe qeveritarëve të të gjitha niveleve, Kryeministri Berisha u shpreh se është detyrë e të gjithëve që të marrin masa për të amortizuar pasojat e krizës në vend. Duke iu referuar recesionit ekonomik, Kryeministri Berisha theksoi se "më shumë se 1/3 e vendeve, mes tyre edhe vende anëtare të BE, po vendosin uljen e pagave deri në masën 10%, të tilla janë vendet balltike, Irlanda dhe shumë vende të tjera, sepse parashikimet buxhetore për shkak të krizës së recesionit nuk realizohen. Ndërsa ne do të rrisim pagat dhe do të bëjmë rritjen më të madhe që kemi bërë ndonjëherë". Duke iu drejtuar ministrit të Financave, Kryeministri Berisha i ka kërkuar që ai pas dy javësh, në mbledhjen e qeverisë, të paraqesë të gjitha qëndrimet ligjore ndaj kësaj manie të rritjes së taksave ndaj biznesit të vogël.