E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dade: Prokuroria ndërhyri në kohë për hetimin e Gërdecit

Sekretarja për marrëdhëniet më jashtë në Partinë Socialiste, Arta Dade, shpjegoi dje arsyet përse PS-ja nuk kërkoi komision hetimor parlamentar për ngjarjen e Gërdecit. Sipas Dades, ndërhyrja në kohë e Prokurorisë së Përgjithshme bëri që ajo të mos e merrte një vendim të tillë. “Ndërhyri në kohën e duhur, pavarësisht 2-3 ditë vonesë dhe në moment që hetuesit kanë nisur punë për një çështje dhe komisioni paralel, nuk do të ishte efikas. Megjithatë, kur do të diskutohet në Parlament, ne jemi të hapur. Nuk është shtruar në rendin e ditës për ngritjen e një komisioni hetimor. Ne kemi një nismë ligjore, për të bërë kompensimin 100% të të gjitha dëmeve dhe përsëri ky projekt që ne kemi depozituar, nuk është vënë në rendin e ditës dhe nuk ka hyrë në kalendarin e punimeve. Ne, sigurisht jemi konsistentë për të realizuar ato nisma që si grup kemi marrë për çështjen e Gërdecit”, - tha Dade. Lidhur me qëndrimin e Senatit amerikan për Shqipërinë, Dade tha se “këtu nuk kemi të bëjmë me presione nga ndërkombëtarët, sepse Shqipëria tashmë ka nisur proceset e saj integruese dhe çdo gjë që bëhet, duhet të bëhet në të mirë të këtyre zhvillimeve dhe shqiptarëve”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›