E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha, gjyq në Apel më 27 janar

 

Ministri i Jashtëm Lulzim Basha, do të gjykohet në Apelin e kryeqytetit, tre ditë para se Gjykata e Lartë të nisë shqyrtimin e dosjes për abuzimet me rrugën "Durrës-Kukës". Pas hedhjes së shortit elektronik në këtë institucion është përcaktuar gjykatësi Pajtim Hoxha për të shqyrtuar kërkesën e Bashës për pavlefshmëri të akteve shkresore për thirrjen e tij në prokurori dhe komunikimin e akuzës. Procedurat e shortit janë kryer në këtë institucion mesditën e së premtes dhe menjëherë pas kësaj dosja i është dorëzuar gjykatësit Hoxha, i cili ka përcaktuar se seanca do të zhvillohet më datë 27 janar. Ndërkohë, një kolegj penal pesanëtarësh i Gjykatës së Lartë pritet të nisë më datë 30 janar shqyrtimin e dosjes "Durrës-Kukës", ku Basha akuzohet të ketë abuzuar me tenderin e kësaj rruge gjatë kohës që drejtonte Ministrinë e Transporteve. Ankimin në Shkallë të Dytë e paraqiti institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme, pasi Gjykata e Tiranës vendosi kundër atyre më 15 dhjetor, duke pranuar si të drejtë ankimin e ministrit. Një ditë para se të skadonte afati për paraqitjen e ankesës, më datë 24 dhjetor të vitit të kaluar, prokuroria paraqiti në Apelin e Tiranës kërkesën për pranimin si të drejtë të fletëthirrjeve të tyre drejtuar Bashës. Kërkesa e prokurorisë, së bashku me dosjen gjyqësore qëndroi e paregjistruar për shumë ditë në sekretarinë e Apelit, ndërsa procedurat ligjore për të mbaruan mesditën e së premtes për shkak të veprimeve që kryhen në këto institucione në lidhje me mbartjen dhe rinumërimin e çështjeve në gjykim. Vendimi, kundër Prokurorisë së Përgjithshme u shpall më 15 dhjetor nga gjykatësja kryeqytetase Fatmira Hajdari, e cila pranoi ankesën e ministrit Basha për pavlefshmëri të fletëthirrjes në organin e akuzës dhe njohja me kërkesën për gjykim të çështjes "Durrës-Kukës". Pranimi i kërkesës së ministrit nga togat e zeza, solli reagimin e ashpër të prokurorit të çështjes, i cili iu drejtua Shkallës së Dytë ku kërkon prishjen e vendimit të Faktit dhe rrëzimin e ankimit të ministrit Basha. Në vendimin e 15 dhjetorit Gjykata e Tiranës arsyetoi se, më datë 25 nëntor 2008, Basha është njoftuar me anë të një shkrese përcjellëse të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas së cilës ministri i Jashtëm duhet të paraqitej më 27 nëntor, ora 14:00 tek prokurori i çështjes Arben Kraja, për t'u njoftuar me Akt Njoftimin e Akuzës.       fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›