Tifozët kuqezi në revoltë “Hiqini duart nga Kakà!”
Populli kuqezi nuk është dakord. Shitja e mundshme e Kakasë te Mançester Siti ka bërë që të shpërthejë reagimi i tifozëve të Milanit, që kanë ngritur zërin. “Hiqini duart nga Kakà” ka qenë banderola e shfaqur në hyrje të selisë kuqezi të rrugës Turati. Përballë selisë së Milanit është varur një banderolë ku shkruhet “Kaka’ nuk preket”, një banderolë që më pas është hequr që aty. Ndërkaq, Adriano Galiani vazhdon të qëndrojë në heshtje për shtyp, ndërkohë që në Angli tabloidet kanë ndezur një debat për shifrat e asaj që mund të shndërrohet në transferimin rekord i historisë së merkatos.
“Një çështje prej 243 milionë sterlinash” (rreth 273 milionë euro) është titulli i “Sun”, sipas të cilit “Kakà është duke vlerësuar mundësinë e kalimit te Mançester Siti pasi klubi anglez ka rritur ofertën”. Konfirmimi, gjithnjë sipas “Sun” ka ardhur edhe nga Milani që ka folur për shifra “të papara ndonjëherë në botën e futbollit”. Numrat do të ishin këto: 108 milionë sterlina (121 milioni euro) për Milanin, 108 milionë sterlina i shkojnë lojtarit (Kakà do të përfitojë rreth 14 milionë euro neto në vit) dhe 27 milionë sterlina (30 milionë euro) shpenzime të tjera për operacionin.
Për “Daily Telegraph” në arkat e klubit kuqezi do të përfitonin edhe më shumë (130 milionë sterlina), ndërsa “Daily Star”, flet për 32 milionë shpenzime për aksesorë. Numrat janë edhe “garnitura” e aspektit taktik. Mark Hjuxhs, menaxheri i Sitit, mësohet të ketë diskutuar edhe për mënyrën se si do të luajë Kakà: “Me një 4-1-4-1, skemë e krijuar për të adaptuar karakteristikat e lojtarit në skuadër”. Qarkullon edhe data e debutimit të mundshëm të Kakàsë me fanellën e tij të re: sipas “Guardian” braziliani mund të debutojë më datën 28 janar kundër Njukastëllit.