Vasil Bici: Gati të hetojmë ndeshjet
Ligji për privatizimin e klubeve sportive në Shqipëri pritet t’i japë atij një zhvillimin sipas rregullave të ekonomisë së tregut. Drejtori i sapoemëruar i sporteve në ministri, Vasil Bici, mendon se është zgjidhja e duhur për sportin tonë. “Ky ligj përcakton saktë që ekipet dhe klubet që kanë buxhetin, gjejnë burime dhe thithin donatorë ose sponsorizues, duke e kthyer sportin në fitimprurës dhe jo vetëm konsumator”, ka thënë Bici për “TV Klan”. Ai ka një përvojë të gjatë në futboll dhe pranon se shumë shpejt, me t’u ngritur grupet e punës, klubeve sportive do t’u krijohet mundësia të nisin procedurat t’u kthyer në SH.A. Pjesë tjetër e rëndësishme është edhe ligji i trukimit të rezultateve, që do t’i vërë fre përfitimeve të jashtëligjshme në sport. “Nuk mendoj se duhet parë me hamendje, u shit apo nuk u shit, por duhen fakte konkrete. Do të ngrihet një strukturë e veçantë, që do të ndjekë hap pas hapi procedurat dhe të kapë personat që bëjnë shkelje të tilla. Këto dy ligje pritet t’i hapin rrugë zhvillimit dhe rritjes së cilësisë së sportit në Shqipëri”, është shprehur Vasil Bici. Ndërkaq, pritet edhe reagimi i Federatës në lidhje me strukturën, që do të ngrihet në MTKRS, e cila merret posaçërisht me hetimin dhe zbardhjen e ndeshjeve të përfolura për trukim.