Shiste drogë te qyteti studenti, kapet me 19 doza kokainë
TIRANE - Agjentët e Antidrogës në policinë e kryeqytetit kanë arrestuar dje në flagrancë Aedoment Kazazin, 22 vjeç, person i dyshuar si shpërndarës i lëndëve të forta narkotike në zonën e qytetit Studenti në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare të policisë së kryeqytetit, mësohet se 22-vjeçari lindur dhe banues në Tiranë është arrestuar në orët e mbrëmjes me një sasi kokaine, të cilën po e shpërndante për klientët. "Ky person dje rreth orës 21:30 u kap në flagrancë në afërsi të Shkollës së Baletit në rrugën e Elbasanit, për shkak se pas një kontrolli fizik të ushtruar ndaj tij iu gjetën 15 gramë lëndë e dyshuar si kokainë, e cila ishte e ndarë në 19 doza", thanë burimet zyrtare. Sipas tyre, menjëherë pas zbulimit të drogës, agjentët e policisë në cilësinë e provës materiale kanë sekuestruar 15 gramë lëndë narkotike të dyshuar si kokainë. Gjatë arrestimit të 22-vjeçarit të dyshuar policia ka bllokuar edhe një telefon celular dhe automjetin me targa TR 3153 R të cilat i përkisnin të akuzuarit për shpërndarje kokaine. Pas arrestimit dhe veprimeve të para procedurale, policia tha se materialet e përpiluara për akuzën ndaj të arrestuarit i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për hetime të mëtejshme lidhur me veprën penale "shitje të lëndëve narkotike".