Basha i bën thirrje Ramës për të dal në krye të garës elektorale
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ka vlerësuar rolin e të rinjve në aktivitetet politike të të PD-së. Në Kuvendin e 9-të të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, në Elbasan Basha ka theksuar se qeveria dhe një grup pune kanë hartuar planin më ambicioz për punësimin e rinisë universitare dhe në katër vitet e ardhshme asnjë vend tjetër europian nuk do të punësojë më shumë të rinj sesa Shqipëria.
Ministri Basha i bëri thirrje kryesocialistit Rama që të dalë në ballë të garës elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit. Ti duhet të dalësh në ballë të garës. Që ta marrësh provimin, më parë duhet ta japësh atë, u shpreh zoti Basha. Gjatë fjalimit të tij, ministri Basha vlerësoi se çdo ndryshim madhor dhe historik që Shqipëria ka njohur këto 20 vjet, duke filluar nga rrëzimi i diktaturës komuniste, e ka shkëndijën tek rinia shqiptare. Në cilësinë edhe të kryetarit të shtabit elektoral të Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit për zgjedhjet e 28 qershorit Basha premtoi se brenda 12 muajve të parë të mandatit të dytë qeverisës, çdo qytetar shqiptar do të ketë mundësi të lëvizë i lirë në të gjithë Europën, pasi qeveria shqiptare i bën ëndrrat realitet. Kuvendi i 9-të, i Forumit Rinor të Partisë Demokratik (FRPD) në Elbasan, zgjodhi Ilir Dervishin si kryetarin e ri të kësaj dege.