E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI akuzon Berishën se po dhunon dhe shpërdoron taksat e qytetarëve me mesazhe humbëse

Vasili: Berisha ska të drejtë të ndërhyjë jetën private të qytetarëve
Prej disa ditësh celularët qytetarëve shqiptarë po sulmohen vazhdimisht nga mesazhe elektorale të Sali Berishës, duke reklamuar arritjet e qeverisë. Në fillim të SMS (Mesazh i shkruar celular), Berisha bën një panoramë të gjerë me gjuhën e shifrave të arritjeve sipas tij në katër vitet e mandatit aktual si kryeministër. Duke përzgjedhur kompaninë më të re të telefonisë celulare Eagle, për ti dërguar të gjithë abonentëve të saj nga një SMS, Berisha u kërkon qytetarëve të shprehin dëshirat e tyre që thotë se do tua realizojë gjatë katër viteve të ardhshme nëse do të marrë një mandat të dytë qeverisës. Si rrjedhojë, pas sms-ve të shpërndara nga kryeministri në celularët e shqiptareve, ku kërkon mendim për programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme dhe parashtron arritjet e deritanishme të kabinetit të drejtuar prej tij, Lëvizja Socialiste për Integrim i është përgjigjur kësaj kërkese, por duke zgjedhur ta bëjë ketë publikisht. Askush nuk ka asnjë të drejtë që të dhunojë jetën private, duke çuar mesazhe në celularët privatë të qytetarëve shqiptarë dhe aq më pak Berisha. Kryeministri Berisha duhet të kuptojë se nuk jemi në diktaturën e proletariatit dhe askush nuk ka asnjë të drejtë që të dhunojë jetën private, duke çuar mesazhe në celularët privatë të qytetarëve shqiptarë dhe aq më pak Berisha, u shpreh sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili. Ai dënoi dhunën e jetës private të qytetarëve, duke bërë të ditur se Berisha përgjigjen e mesazheve të tij, do ta marrë me 28 qershor, me votën e qindra e mijëra shqiptarëve, prandaj LSI e këshillon të mos shpenzojë më para nga taksat e shqiptarëve për mesazhe të tilla humbëse dhe të rëndomta. Sipas tij, arritjet e qeverisë janë të qarta por jo në drejtim të zhvillimit, por të fundosjes së vendit në një krize të gjithanshme të pa parë ndonjëherë. Berisha vetëm ka gënjyer në këto vite. Gjatë gjithë këtyre viteve janë kryer inaugurime të rrugëve të panisura kurrë, u shpreh Vasili. Vasili shtoi se shqiptarët tashmë e kanë bërë zgjedhjen e tyre dhe ajo është sipas tij larg gënjeshtrave dhe retorikes boshe të kryeministrit. Prindërit tanë dëgjojnë Berishën të thotë se janë dyfishuar pensionet, ndërkohë që ata nuk marrin më shumë para, sepse çmimet janë rritur nga kryeministri, theksoi Vasili. Sipas sekretarit të LSI-së, Petrit Vasili, meqenëse Berisha po dhunon celularët e qytetarëve, këta të fundit po japin mendimin e tyre që u kanë kërkuar. Sa i takon krimit ai ka shkuar aq larg sa po sulmon tani edhe banesat e qytetarëve. Sa i takon korrupsionit, arritja më e madhe e korrupsionit, ka qenë Gërdeci dhe Berisha le të krenohet me të. Sa i takon rrugëve, janë qindra e qindra fshatra që dergjen pa rrugë në baltë e pluhur, mijërat e kilometrave të rrugëve të asfaltuara në të gjithë Shqipërinë, janë vetëm në fantazinë e Berishës, ndërsa në realitet ato janë vetëm shirita të prerë rrugësh, të pafilluara kurrë, janë qindra e qindra fshatra në mjerim ekstrem. Sa i takon ujësjellësve edhe ata janë inauguruar vërtet, por ujë qytetarët dhe fermerët nuk marrin asnjë pikë dhe për ujë digjet edhe qendra e Tiranës. Investimet janë shtuar, por vetëm në imagjinatën e Berishës, sepse nëse ato do të ishin shtuar realisht, nuk do të kishim këtë papunësi të frikshme që ka pllakosur vendin e që thellohet dita-ditës. Fëmijët shqiptarë kanë kaluar në shkolla pa ngrohje, dimra në të ftohtë dhe në kushte të rënda higjienike edhe pse Berisha premtoi se do fuste në burg këdo që nuk do siguronte ngrohje në shkolla, bëri të ditur ai. Vasili shprehu shqetësimin se tani celularët e shqiptarëve nuk sulmohen nga njerëz anonim, por pikërisht nga Kryeministri Berisha, duke u shkruar atyre arritjet e qeverisë, e nga ana tjetër konsumon taksat e shqiptarëve me mesazhe të tilla, duke reklamuar ato që qeveria i ka pasura për detyrë t;i bëjë. Berisha vetëm ka gënjyer në këto vite. Shqiptarët tashmë e kanë bëre zgjedhjen e tyre dhe ajo është larg gënjeshtrave dhe retorikës boshe të kryeministrit gjatë këtyre viteve, tha ai. Duke dënuar dhunimin e privatësisë së shqiptarëve nga kryeministri Berisha, sekretari i përgjithshëm i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, shprehu bindjen publikisht, se në 28 Qershor, përgjigja për këto mesazhe të tij, do të jetë shumë e fortë dhe e qartë me votën e qindra e mijëra shqiptarëve, prandaj e  këshilloj Berishën të mos shpenzojë me para nga taksat e shqiptarëve për mesazhe të tilla humbëse.
****************************************************************                                                                                                           Teksti i plotë i një mesazhi dërguar nga numër Eagle Mobile
Zonjë/Zotëri,                                                                                                                       Së bashku eliminuam 204 banda, shpëtuam nga korrupsioni, katër miliardë dollarë, rritëm dhe dyfishuam rroga dhe pensione, ndërtuam dhe rindërtuam 5 900 kilometra rrugë, 1 012 shkolla, mbi 700 ujësjellës e kanalizime, pesëfishuam investimet, firmosëm 5 miliardë euro investime të huaja, pritëm 2.7 milionë turistë. Jemi në NATO dhe brenda një viti do të lëvizim pa viza në Bashkimin Evropian. Të lutem, më shkruaj në 067 20 00410, çfarë të intereson në katër vitet e ardhshme.
Me respekt, Sali Berisha

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›