E Diel, 1 Nëntor 2026

Patozi dhe Dade vlerësojnë transparencën në hartimin e listave

Hartimi i listave të kandidatëve për deputet është kritikuar nga deputetët të cilët nuk janë renditur në këtë listë, ose kanë mbetur të pakënaqur nga pozicionimi i tyre. Me vonesat e dorëzimit të listave të kandidatëve për deputet në zgjedhjet e qershorit, pavarësisht pakënaqësive të shfaqura mes deputetëve të përjashtuar, është vënë re dhe një tjetër dyshim, i cili lidhet me mënyrën e hartimit të këtyre listave. Të pakënaqurit e listave kanë theksuar se hartimi i tyre nuk është bërë në mënyrë transparente. Por zyrtarë të lartë të PD-së dhe PS-së, hedhin poshtë këto pretendime, duke vlerësuar se procesi brenda selive të tyre ka qenë transparent. Nënkryetari i selisë blu, Astrit Patozi është mjaft i sigurt për transparencën e listës së PD-së, duke përmendur këtu edhe paraqitjen e kësaj liste nga kreu Berisha. 100 për qind transparent. Vetë kreu i PD-së jo në limitin kohor të KQZ, bëri të ditur jo vetëm para partisë së tij, por çdo qytetari të saj listën përfaqësuese me të cilën PD-ja shkon në zgjedhjet e 28 qershorit, veçoi Patozi. Ndërsa në lidhje me rrugën që ka ndjekur PD-ja për hartimin e listave, sipas nënkryetarit të saj, Astrit Patozi të gjitha vendimet janë marrë nga forumet e partisë. Për zgjedhjet aktuale është pasur parasysh edhe kodi i ri zgjedhor. Megjithatë PD-ja ka qenë më transparente se të gjitha forcat e tjera politike, vijoi ai. Pavarësisht mungesës së 18 deputetetëve në listën aktuale të PD-së, dhe reagimit të ashpër të tyre, Patozi e vlerëson listën e partisë së tij dinjitoze, ndonëse mirëkupton ndjeshmërinë e gjithsecilit. Sigurisht janë njerëzore dhe deklarimet edhe reagimet pas nxjerrjes së listave, por në PD ato kanë qenë shumë minore në krahasim me forcat e tjera politike, veçoi ai. Përsa i përket selisë rozë, edhe përfaqësuesja e saj Arta Dade hedh poshtë dyshimet për mostransparencë të listave, duke theksuar se hartimi i listave në këtë kamp ka qenë tepër transparent. Lista ka finalizuar një proces transparent që ka lidhje me gjithë procesin e ristrukturimit dhe konfigurimin e figurave të spikatura të PS që pranohen nga opinioni, nënvizoi ajo. Në lidhje me rrugën që ka ndjekur Partia Socialiste për hartimin e listave, Dade ka theksuar se vendimet e marra janë bërë nga strukturat e partisë. Finalizimi i punës është bërë me mendimin që është marrë nga krerët lokale dhe bordet qytetare, nënvizoi Dade, ndërsa kujton turet e shumta të kreut të PS-së, Edi Rama. Nga listat e publikuara bie në sy mungesa e mjaft prej figurave qendrore të dy partive të mëdha, ku konkretisht në listat e PS-së gjenden vetëm 30 për qind e deputetëve të deritanishëm, ndërsa mungojnë figura të njohura të saj. Arta Dada, pavarësisht këtyre reagimeve e vlerëson të rëndësishme faktin që kushdo të bëhet pjesë e rëndësishme e projektit fitues të PS. Në listat e partive bie në sy numri i madh i të rinjve dhe veçanërisht i femrave. Përfshirja e tyre nga të dy kampet ishte paralajmëruar kohë më parë dhe krerët e partive e kishin cilësuar si një hap për rinovimin e politikës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›