E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha i uron mirëseardhjen Nuncit të ri Apostolik të Selisë së Shenjtë

Ministri i Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha, priti dje Monsinjor Ramiro Moliner Inglés, Nuncin e ri Apostolik të Selisë së Shenjtë në vendin tonë. Duke shprehur vlerësimin për marrëdhëniet shumë të mira mes vendit tonë dhe Selisë së Shenjtë, bashkëbiseduesit folën për vlerat e përbashkëta, gjë që ndihmon dhe proceset integruese të Shqipërisë në BE dhe NATO. Z. Basha i uroi Nuncit Apostolik, Mons. Ramiro Moliner Inglés, suksese në misionin e ri në vendin tonë dhe vuri në dukje tolerancën dhe harmoninë që ekziston në Shqipëri prej shekujsh. Nga ana e tij, Nunci Apostolik, Mons. Ramiro Moliner Inglés, u shpreh se Selia e Shenjtë ka dhënë një kontribut të madh në ringjalljen shpirtërore, morale dhe edukative të popujve në botë dhe të popullit shqiptar me mision nxitjen e paqes, dialogut midis civilizimeve, kulturave dhe feve. Në vijim ai vlerësoi në veçanti tolerancën dhe mirëkuptimin për t’u admiruar që është vendosur mes besimeve të ndryshme fetare ne Shqipëri. “Vendi juaj, - tha ai, - është një model në rajon për tolerancën, harmoninë dhe bashkëjetesën mes besimeve të ndryshme”. Bashkëbiseduesit shprehën vullnetin për të intensifikuar më tej marrëdhëniet mes Republikës së Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›