E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha; Përkushtim të plotë për pavarësinë e drejtësisë

Kryeministri ka vlerësuar zbatimin e projektit të fazës së parë të Sfidës së Mijëvjeçarit që ka pasur si synim kryesor luftën kundër korrupsionit. “Në këtë betejë ne ia dolëm që nga të grupuar me 24 vendet më të korruptuara të planetit, arritëm të lëmë pas 95 vende. Por, ju garantoj se kjo është vetëm një frymëmarrje. Ambicia ime është të renditemi në 20 vendet e para për indeksin e korrupsionit”, - tha Berisha

Kryeministri ka cilësuar progresin më të madh të qeverisë luftën kundër korrupsionit, ndërkohë që ka shpallur si një nga ambiciet e tij më të mëdha ta rendisë vendin në 20 të parët në indeksin e luftës kundër korrupsionit. Ai i bëri këto komente gjatë ceremoninë së nënshkrimit të Marrëveshjes së dytë Prag të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës me një vlerë prej 15.7 milionë dollarësh. Kreu i qeverisë ka cilësuar sukses përmbylljen e fazës së parë të kësaj sfide që është fokusuar në uljen e korrupsionit në prokurimet publike, në administrimin e tatimeve, si dhe në regjistrimin e biznesit. Faza e dytë synon të përmirësojë aftësinë e sistemit gjyqësor për trajtimin e mosmarrëveshjeve administrative, të zvogëlojë korrupsionin dhe inefiçencën në administratën tatimore, të ndërtojë një qendër kombëtare “one stop shop” për licencat e bizneseve, të krijojë një sistem transparent të dhënies së lejeve të ndërtimit, si dhe të formojë Njësi të Përbashkëta Hetimore në gjashtë qytete për të hetuar çështjet e korrupsionit. Pasi ka marrë fjalën pas ambasadorit amerikan, Xhon Uidhers, i cili pati nota kritike për qeverinë, Kryeministri ka garantuar angazhimin e tij për pavarësinë e institucioneve të drejtësisë. “Një tjetër fushë e rëndësishme është drejtësia. Dua të garantoj se qeveria ka një përkushtim të plotë dhe absolut për pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve të tjera në tërësi. Është pikëpamje e palëkundur imja dhe e qeverisë sime se rrënues kryesor i pavarësisë së tyre është korrupsioni dhe se lufta kundër korrupsionit në këto institucione është kusht vendimtar që ato të gëzojnë pavarësinë kushtetuese ligjore që meritojnë dhe të përmbushin me dinjitet një mision të pazëvendësueshëm, shtyllë kryesore në një sistem demokratik”, - tha Berisha. Po në këtë kontekst ai shtoi: “Por, askush nuk mund të pretendojë se ka bërë detyrën, duke mos parë në kopshtin e tij, është në mendjen dhe mençurinë më të lartë të këtij kombi”. Kreu i qeverisë ka vlerësuar punën e drejtësisë, por dhe e ka kritikuar atë, duke parë se vetë njerëzit e drejtësisë nuk përballen me ligjin. “Drejtësia shqiptare ka hapur një kapitull të ri dhe jashtëzakonisht të rëndësishëm duke kaluar nga mosdënimi në dënim. Kjo ka rëndësi kryesore për moralin e një shoqërie dhe ka rëndësi kryesore për suksesin e një lufte të tillë”, - tha ai e ndërkaq theksoi se “natyrisht, të gjithë ata gjykatës apo prokurorë në 10 apo 12 vite nuk janë përballur me ligjin, pavarësisht veprës që kanë kryer. Kjo çështje mbetet për t’u zgjidhur dhe do të zgjidhet nëpërmjet reformave”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›