Topalli, mes 4 mijë grave në Berat: Të ndryshojmë ekuilibrat
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vijon dje turin e saj “Gratë për gratë” në Berat, ku në ambientin e kalasë 2400-vjeçare, u prit nga më se 4 mijë gra të qytetit. Përpara tyre, Topalli bëri thirrje për të gjitha gratë e vendit që të japin kontributin e tyre, në mënyrë që shoqëria të ketë në vendimmarrje edhe pjesën që i mungon, gruan. Në fjalimin e saj, Topalli u tregua me konkrete nga ku u shpreh se gruaja duhet të vendosë ekuilibrin në institucionin më të lartë të vendit, Parlamenti. “Kjo kërkon që secila prej nesh të ketë hapësira, të tregojë vlerat dhe cilësitë e saj se deri ku mund të arrijë. Unë besoj se një grua e zgjedhur deputete ka hapur rrugën për shumë gra të tjera që mund ta shohin veten në karriget e Parlamentit dhe në pushtete të tjera. Ky është momenti që ne mund të vendosim më shumë drejtësi në Parlament dhe në tërë jetën politike, të menaxhojmë buxhetet e vendit, duke menaxhuar kështu një të ardhme të sigurt për fëmijët dhe gjithë shoqërinë“, - tha Topalli. Përpara grave beratase, kryetarja e Kuvendit tha se vendi ndodhet në një periudhë historike të reformave të integrimit në NATO dhe BE. “Unë e konsideroj veten me shumë fat që kam qenë në krye të një Kuvendi, në kohën, kur Shqipëria nënshkroi MSA-në, kur parlamentet e Evropës e ratifikuan atë dhe kur prillin e ardhshëm, Shqipëria do të bëhet anëtare me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut. Ky është momenti i garancisë, i sigurisë, është momenti që ne do të ndihemi në pozita të barabarta vlerash dhe dinjiteti, në krah të liderëve të botës. Ne kemi ndryshuar imazhin tonë, sepse vlerësohemi për reformat dhe për atë ku duam të arrijmë. Dhe kjo është meritë e grave, e nënave dhe e gjithë shqiptarëve, është meritë e liderëve që udhëheqin vendin”, - tha më tej Topalli përpara grave në Berat. Ndërkohë, sipas deputetëve të qarkut të Beratit, Fino, Braçe, Bello, për shkak të vizitës së kryetares së Kuvendit janë mbyllur shkolla e spitale dhe gjithë administrata shtetërore për shkak të turit të nënkryetares së PD-së, njëkohësisht kryetare e Kuvendit.