PDK: Kryeministri Berisha të japë dorëheqjen
Një nga partitë aleate të PD-së i kërkon dorëheqjen Kryeministrit Sali Berisha. Demokristianët, të cilët nuk janë më në qeveri prej disa muajsh, kanë kërkuar dje largimin e shefit të ekzekutivit me anë të një rezolute të kryesisë së PDK-së. Kreu i saj, Nard Ndoka, tha se “kryesia e PDK-së, pasi diskutoi situatën politike të krijuar në vend, miratoi një rezolutë që u votua unanimisht nga anëtarët e kryesisë. Nëpërmjet kësaj rezolute kryesia e PDK-së i kërkon dorëheqjen e menjëhershme Kryeministrit Sali Berisha”. Në këtë rezolutë PDK-ja shpreh shqetësimin se “është minuar bashkëpunimi brenda mazhorancës, nuk funksionon tryeza e partive të koalicionit dhe as kontrata politike e bashkëqeverisjes dhe se ky proces reformash është vënë në pikëpyetje nga skandalet politike dhe problemet e keqqeverisjes, duke rrezikuar seriozisht anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO”. Dy çështje janë sipas kësaj partie arsyet pse Berisha duhet të japë dorëheqjen dhe ato janë Gërdeci dhe çështja “Fazlliç”. PDK-ja shprehet se "duhet të dalin personat përgjegjës të implikuar në aktin kriminal të Gërdecit dhe raste të tjera të abuzimit me pushtetin”. Ndërsa për çështjen tjetër ajo shprehet se “skandalet politike të tipit “Fazlliç” kanë vënë në dyshim moralin dhe aftësinë qeverisëse të mazhorancës së djathtë”. Në rezolutën e saj, PDK-ja e konsideron Berishën personin përgjegjës kryesor për gjendjen e krijuar. Por, kjo parti sqaron: “Ne nuk e konsiderojmë z. Berisha fajtor, përderisa akuzat që i bëhen atij dhe rrethit të tij familjar të vërtetohen vetëm nga organet e drejtësisë shqiptare, por ne e konsiderojmë atë përgjegjës politik për skandalet politike etj.”. Kjo parti, me votat e saj në Kuvend, që shumicën e herëve kanë qenë kundër qeverisë së pas 3 korrikut 2005, do të mbështesë çdo kryeministër tjetër të propozuar nga Partia Demokratike.