E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers: Shqetësimi ynë mbi baza reale

Ambasadori i SHBA-së Xhon Uidhers deklaroi dje në ceremoninë e nënshkrimit të programit të radhës “Sfida e Mijëvjeçarit”, se shqetësimi i vetëm i shtetit më të madh të globit është vetëm demokracia. Uidhers tha se deklaratat e tij të fundit kanë pasur si qëllim ruajtjen dhe rritjen e demokracisë në vend. “Shpesh më pyesin: “Cili është interesi i SHBA-së në Shqipëri? Pse luftoni të sillni jo vetëm një program të fazës së parë të KSM-së, por edhe një program të dytë të KSM-së këtu?” Përtej arsyeve dhe më me peshë se arsyet e përvijuara sot këtu, përgjigja është shumë e thjeshtë; përgjigja është: “Demokracia. Demokracia, jo me fjalë, por me vepra, është themeli thelbësor i asaj që duam të arrijmë këtu. Për amerikanët, demokracia është diçka shumë serioze. Nuk është një parullë, nuk është një klishe, nuk është as një moto”, - tha Uidhers në këtë ceremoni. Ambasadori amerikan konfirmoi edhe një herë qëndrimin e tij me deklaratat më të fundit për sa i përket shqetësimeve për ndërhyrje në institucionet e pavarura. “Prandaj edhe kam shprehur shqetësime në lidhje me zhvillimet e fundit këtu në Shqipëri. Disa herë më kanë thënë, deri edhe dje në mbrëmje, që shqetësimet e mia bazohen mbi keqkuptime të asaj çka ndodh këtu. Do të doja t’u bëj të qartë atyre personave që ne amerikanët e dimë se si funksionon një sistem demokratik. Shqetësimet e mia dhe shqetësimet e qeverisë sime nuk bazohen mbi keqkuptime. Ato bazohen mbi realitete”, - tha ambasadori amerikan. Duke i konkretizuar shqetësimet e tij ai tha se “veprimet e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme fundjavën e kaluar janë shqetësuese sepse janë reale.

Ligji për administratën gjyqësore që ndërhyn në autoritetet dhe të drejtat e gjykatës dhe që aktualisht ndodhet para Parlamentit, është shqetësues sepse është real. Lëvizjet në Parlament, edhe sot, për një hetim mbi funksionimin e prokurores së përgjithshme për kurrfarë arsyeje legjitime, janë shqetësuese sepse janë reale”. Për të gjitha këto ngjarje ai bëri të qartë se “qeveria ime dhe unë do t’i ndjekim nga afër dhe do të jemi seriozë në lidhje me to”.

Më tej ai vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm mes qeverisë shqiptare në programet e USAID-it për të përmirësuar ambientin e të bërit biznes në Shqipëri si dhe në luftën ndaj korrupsionit. “Paraqitja e ligjit të ri për procedurat tatimore, zhvillimi i sistemeve të pagesave të tatimeve dhe prokurimit elektronik, ngritja e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, si dhe forcimi i Avokatit të Popullit dhe Agjencisë Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit, janë disa nga arritjet e shumta të reformave të mbështetura nga ky projekt. Së bashku, ne kemi luftuar korrupsionin dhe së bashku kemi sjellë efiçiencë në rritje në praktika të shumta biznesi, të cilat do ta bëjnë Shqipërinë një vend gjithnjë e më tërheqës për investime biznesi. Vërtet, sot është një ditë për të qenë krenarë”, - tha Uidhers për programin dhe bashkëpunimin me qeverinë shqiptare. Ai shtoi madje se me programin e ri “do të përpiqemi të rrisim profesionalizmin në një administratë publike të orientuar kah shërbimet. Do të përpiqemi të konsolidojmë sundimin e ligjit dhe respektin për sundimin e ligjit, jo vetëm tek qytetarët e thjeshtë, por edhe tek zyrtarët e qeverisë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›