E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjygjtarët pa makina Kushtetuesja pezullon ligjin

TIRANË- Kyetarët e gjykatave të të gjithë niveleve në vend, si dhe gjyqtarët do të mund të përdorin automjetet shtetërore deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga ana e Gjykatës Kushtetuese, pas pezullimit që kjo e fundit i bëri dje ligjit "Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë".


Gjykata Kushtetuese e pezulloi këtë ligj pasi shqyrtoi ankesën e paraqitur nga Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, i cili në kërkesën e tij theksonte se disa dispozita të këtij ligji ishin antikushtetuese.


Gjykata Kushtetuese e shqyrtoi çështjen dhe konstatoi se zbatimi i menjëhershëm i dispozitave që parashikon ky ligj mund të sjellë pasoja të pariparueshme për institucionet gjyqësore. Ky ligj, që kaloi në Kuvend i shtrin efektet e tij edhe në pushtetin gjyqësor, ku parashikohet heqja e makinave shtetërore për gjyqtarët dhe gjykatat.


Por, Gjykata Kushtetuese e ka kundërshtuar këtë, duke thënë se ky ligj nuk duhet t'i shtrijë efektet e veprimit të tij në pushtetin gjyqësor, pasi sipas saj, punonjësit e këtij pushteti nuk mund të konsiderohen si pjesë e administratës qeveritare, sepse pushteti gjyqësor është i ndarë nga pushteti legjislativ dhe pushteti ekzekutiv. Për këtë, nëpërmjet një vendimi të marrë dje nga Gjykata Kushtetuese u pezullua neni 2, pika 1 dhe 2 e tij, nenet 3, 4, si dhe neni 6 i ligjit nr. 10160.


Ndërsa përsa u përket pikave 17 dhe 19 të lidhjes nr. 2, të këtij ligji, ku parashikohet "Për përfitimin financiar mujor të shërbimit të transportit, për disa funksione në institucionet e pavarura dhe pushtetin vendor", do të pritet hyrja në fuqi e vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.


"Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në mbështetje të nenit 45 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë", duke çmuar se zbatimi i menjëhershëm i dispozitave të ligjit objekt shqyrtimi, mund të sjellë pasoja të pariparueshme për institucionet gjyqësore, vendosi të urdhërojë pezullimin e zbatimit të nenit 2, pika 1 dhe 2, nenit 3, 4 dhe 6 të Ligjit nr. 10160, datë 15.10.2009 "Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë", përsa i përket pikave 17 dhe 19 të lidhjes nr. 2, bashkëlidhur ligjit, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi", - thuhet në vendimin e Gjykatës Kushetuese për pezullimin e neneve të lartpërmendura.


Vendimi për t'u hequr të drejtën e përdorimit të makinave shtetërore, duke nisur që nga zëvendësministrat, depuetët, kryetarët e gjykatave, gjyqtarët dhe deri tek drejtuesit e pushtetit vendor, u mor nga qeveria në fillim të muajit tetor. Më pas ky ligj kaloi në Parlament, ku u miratua me votat e mazhorancës pa praninë e opozitës për shkak të bojkotit që i ka bërë Parlamentit prej disa muajsh.


Ligji që rregullon shërbimin e transportit për zyrtarët dhe nënpunësit civilë, nuk prek Kryeministrin e vendit, Presidentin, Kryetaren e Kuvendit, Kryetarin e Opozitës. Por, në të parashikohen edhe disa kufizime për këto kategori. Sipas këtij ligji, Kryeministri, Presidenti, Kryeparlamentarja dhe kryetari i Opozitës, nuk mund të udhëtojnë me automjetet shtetëore në fundjavë pa paguar 50 mijë lekë në vit.


Ndërsa depuetët dhe zyrtarët e tjerë të lartë, përfshi edhe gjyqtarët, tashmë duhet ta sigurojnë vetë transportin e tyre. Përsa u përket deputetëve dhe kryetarëve të bashkive të Shqipërisë, ligji sanksionon dhënien e një bonusi prej 45 mijë lekë në muaj, me qëllimin që ata t'i përballojnë vetë shpenzimet për transportin e tyre.


Por, është edhe mundësia tjetër që makinat shtetërore të përdoura prej tyre, do të nxirren në ankand dhe depuetët mund t'i blejnë kundrejt një çmimi që caktohet nga shteti, në të kundërt ato shiten me ofertën të më të lartë që paraqet subjekti i interesuar.


Këtë ligj të cilin nuk e ka mirëpritur Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, ka çuar në pezullimin e disa neneve të tij nga Gjykata Kushtetuese, duke u dhënë në këtë mënyrë mundësinë e lëvizjes me automejete shtetëtrore kryetarëve të gjykatave dhe gjyqtarëve. Kjo mundësi do të jetë e vlefshme deri në marrjen e një vendimi definitiv nga Gjyakata Kushtetuse.


Nenet e pezulluara nga Gjykata Kushtetuese:

Neni 2

Kategoritë e përfituesve

Kategoritë e përfituesve nga ky ligj janë:


1. Kategoria e parë, ku përfshihen të gjithë funksionarët publikë, të përcaktuar në lidhjen


1, që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij, të cilëve u caktohen automjet dhe shofer, në dispozicion të përhershëm, shpenzimet e të cilëve përballohen nga buxheti i institucionit përkatës. Përgjegjës për mirëmbajtjen e automjeteve janë, sipas rregullave në fuqi, drejtuesit, të cilët e kanë në ngarkim automjetin.


2. Kategoria e dytë, ku përfshihen të gjithë funksionarët e përcaktuar në lidhjet 2 e 3, që i bashkëlidhen këtij ligji dhe janë pjesë përbërëse e tij, të cilëve u caktohet një përfitim financiar mujor, sipas vlerës së përcaktuar në po të njëjtën lidhje, për shërbime transporti, në përmbushje të detyrave të tyre funksionale.


Masa e përfitimit financiar mujor për çdo deputet miratohet me vendim të Kuvendit, në bazë të distancës me zonën që ai përfaqëson, por, në nivelin mesatar, kjo masë nuk mund të jetë më shumë se 45 000 (dyzet e pesë mijë) lekë në muaj.


Neni 3
Kompensimi për përdorim vetjak të mjeteve publike

Funksionarët publikë, të klasifikuar në kategorinë e parë, sipas pikës 1 të nenit 2 të këtij ligji, që kanë të drejtë të përdorin mjetet, nëse dëshirojnë t'i përdorin ato edhe për qëllime, që nuk lidhen me funksionin apo detyrën që ushtrojnë, si për shembull në ditë pushimi të festave zyrtare, gjatë fundjavave, si dhe në ditët e lejes së pushimit vjetor, duhet të derdhin në drejtoritë e përgjithshme të financave, burimeve njerëzore dhe shërbimeve të institucioneve që përfaqësojnë, një shumë prej 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekësh në vit.

Neni 4
Përjashtimi nga përdorimi i automjeteve të institucionit

Personat, që do të trajtohen sipas nenit 2 pikat 2 e 3 të këtij ligji, nuk mund të trajtohen me shërbimin e ofruar sipas pikës 5 të nenit 2 të këtij ligji.

Neni 6
Automjetet në dispozicion të institucioneve

Numri i automjeteve në dispozicion të çdo ministrie, institucioni qendror apo dhe të varësisë përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›