E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha, inspektim në sallën operative të policisë

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, kreu dje një inspektim në sallën operative të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për të parë nga afër gatishmërinë dhe ecurinë e procesit të integrimit të sistemeve të kërkimit, identifikimit dhe analizës së informacionit. Vënia në funksionim e qendrës së vetme operacionale, ku janë të integruara sistemi TIMS, sistemi i survejimit të vendkalimeve kufitare nëpërmjet kamerave dhe sistemi i kontrollit detar, ka nisur në fillim të muajit shtator dhe është një nga elementët e rëndësishëm të Strategjisë së Menaxhimit të Integruar të Kufirit. Kjo sallë posedon 24 orë në ditë të dhënat nga të 26 pikat kufitare të vendit. Brenda muajit tetor, edhe në pesë pika kufitare të vendit, të cilat janë pika kufitare të izoluara, do të instalohet sistemi TIMS, i cili bazohet në përvojat më të suksesshme të BE-së. Sistemi do të ndërlidhet, pra do të ketë një ndërfaqe me Regjistrin e Gjendjes Civile, duke mundësuar shkarkimin e të dhënave të këtij regjistri për të gjithë shtetasit që posedojnë pasaporta biometrike dhe ato aktuale, me sistemin MEMEX të analizës së informacionit kriminal, e po kështu me sistemin e kontrollit të kufirit detar. Ministri Basha u shpreh pas inspektimit se modernizimi dhe integrimi mes tyre i sistemeve të informacionit ka të bëjë me objektivat e qeverisë "Berisha" për qeverisjen elektronike, tashmë të shtrira në një fushë shumë të rëndësishme siç është ajo e zbatimit të ligjit. "Ky proces ka të bëjë me një objektiv madhor, siç është liberalizmi i vizave, që lidhet drejtpërsëdrejti me atë të ruajtjes dhe sigurisë së kufirit. Integrimi i këtyre sistemeve do të pajisë Shqipërinë me standardin më të lartë në Ballkanin Perëndimor, për ruajtjen e kufirit me praktikën më hermetike të goditjes së krimit ndërkufitar dhe në të njëjtën kohë me një transparencë të pademonstruar ndonjëherë nga ndonjë vend tjetër i rajonit", deklaroi ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Në sallën qendrore operative të Policisë së Shtetit do të kryhet survejimi në kohë reale i të gjitha vendkalimeve kufitare nëpërmjet sistemit të kamerave, e po kështu edhe kontrolli i kufirit detar nëpërmjet imazhit të përcjellë nga sistemi i kontrollit detar.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›