Hetim katër nxënësve, hodhën lëndë misterioze
Katër nxënës janë dërguar për ndjekje penale, pasi kanë djegur një lëndë ende misterioze me aromë të pakëndshme në ambientet e shkollës. Sipas të dhënave nga policia, denoncimi është bërë nga drejtoresha e shkollës. Ngjarja ka ndodhur në shkollën 9-vjeçare "26 Nëntori" në Tiranë, kur drejtoresha, Vidish Krentja, ka konstatuar një aromë mbytëse që vinte nga ambientet e brendshme të shkollës. Menjëherë ajo ka lajmëruar policinë, e cila ka mbërritur për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Burime nga policia thanë se katër nxënës të kësaj shkolle, Xhuljano K, 15 vjeç, Donald M, 14 vjeç, Jani N, 14 vjeç dhe Xhorxhi B, 14 vjeç, kishin hedhur dhe djegur një substancë të papërcaktuar ende, e cila lëshonte aromë të pakëndshme. Policia ka marrë në pyetje katër të miturit, të cilët nuk kanë dhënë detaje mbi substancën që kishin djegur, duke shtuar se nuk e dinin se çfarë ishte. Ndaj nxënësve nisën hetimet në gjendje të lirë, për shkak të moshës së mitur, për veprën penale të "prishjes së qetësisë publike".