E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, zbardhet strategjia e rritjes

09/11/2009  Nis diskutimi për projektbuxhetin e qeverisë për vitin 2010

Në projektbuxhetin e qeverisë për vitin 2010 ekspertët kanë parashikuar edhe rritjen e pensioneve për vitin e ardhshëm. Në strategjinë e parashikuar nuk parashikohet një rishikim i moshës së daljes në pension apo të strategjisë së sigurimeve, ndaj pritet që skemat të vijojnë në të njëjtën mënyrë, duke ngulmuar në rritjen e numrit të personave që paguajnë sigurimet shëndetësore dhe shoqërore. Gjithsesi, pritet që rritja e pensioneve të nisë në muajin korrik, së bashku me indeksimin e përvitshëm.

Llogaritja

Në katër muajt e parë të vitit pritet që INSTAT-i të përfundojë indeksimin e rritjes së çmimeve të mallrave të shportës. Kjo do të vendosë një normë bazë për rishikimin e të gjitha pagave e pensioneve në administratën shtetërore. Por kjo shumë do t’i shtohet skemës së rritjes së pensioneve. Kjo duke ruajtur trendin e ndryshimeve të tregjeve në Shqipëri.

Rritja

Të gjitha kategoritë e pensionistëve vitin e ardhshëm do të përfitojnë një rritje sipas parashikimit në buxhet. Por rritja do të jetë sërish e përshkallëzuar, duke mbështetur pensionet e ulëta si dhe ato të fshatit. Kështu, mësohet se pensionet në fshat do të kenë sërish një rritje, e cila shkon deri në masën 15 për qind, ashtu si dhe pensionet minimale, që pritet të kenë një shtesë deri në 10 për qind. Për pensionet e larta rritja pritet të prekë kuotat 5 për qind, për të tentuar kështu përafrimin e pensioneve të fshatit me ato të qytetit. Por në përllogaritjen totale do të mbahet dhe një distancë e pranueshme mes pensioneve të ulëta dhe atyre të larta.

Shpërblimet

Ekspertët e qeverisë kanë bërë të ditur se tashmë ka nisur puna dhe për shpërblimet që do të jepen në fundin e vitit. Burimet thanë se është ende duke u parë situata në buxhetin e shtetit për të vendosur vlerën që do t’u jepet për shpërblim pensionistëve. Ndërsa për administratën shtetërore shpërblimi do të jetë ai i vendosur në ligj, duke mbështetur kështu një festë të fundvitit për çdo familje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›