E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në rrezik Ura e Peqinit dhe Ujësjellësi i Grekanit

09/11/2009  Reshjet dhe prurjet e lumenjve përbëjnë kërcënim. Prishen muret e argjinaturës

ELBASAN-Fryrja e lumit Shkumbin për shkak të reshjeve të dendura të shiut ka dëmtuar argjinaturën mbrojtëse të urës në baipasin e Peqinit duke vënë në rrezik qarkullimin e automjeteve në superstradën Elbasan-Durrës. Rryma e fortë e ujit, përveçse ka gërryer tokën poshtë argjinaturës, ka dëmtuar edhe pjesën ballore prej betoni të saj. I gjithë Shkumbini përplaset mbi argjinaturë duke vazhduar përkeqësimin e gjendjes.

Kërcënimi

Nëse reshjet do të vazhdojnë me këtë intensitet, dëmtimi i saj do të shoqërohet me çarjen e rrugës dhe nxjerrjen jashtë funksionit të urës. Si rrjedhojë, përveç ndonjë fatkeqësie të mundshme njerëzore, do të bllokohet qarkullimi në aksin rrugor ndërkombëtarë të rëndësishëm në vendin tonë. Ura mbi lumin Shkumbin u ndërtua nga firma turke BEHASHE. Por kjo firmë nuk kishte parashikuar ndërtimin e argjinaturës. Ndaj më pas, me fonde shtesë të Drejtorisë së Rrugëve, u mundësua prita mbrojtëse. Por kjo pritë është dëmtuar dhe tashme superstrada është në rrezik. Vetëm gjatë një kontrolli ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, ka përcjellë në Elbasan shkresën për dëmin që po i shkaktojnë firmat që shfrytëzojnë inertet urës së Peqinit. Në këtë shkresë u kërkua marrja e masave për të shpëtuar objektet e rëndësishme. Në këtë segment kërkohet një ndërhyrje e menjëhershme për riparimin e argjinaturës. Shirat kanë sjellë një tjetër rrezik këtë herë në lumin Devoll. Drejtori i Ujësjellës fshat, Ilir Balliu, ka ngritur shqetësimin për rrezikun e madh që i kanoset Pompave të Ujit të Pijshëm në fshatin Grekan përgjatë lumit Devoll. Balliu tha se për të mbrojtur stacionin duhet një investim prej 10 milionë lekësh të vjetra. “Në rast se nuk ndërhyhet menjëherë atëherë rrezikojmë shumë pasi këto ditë me reshje do të shkaktojnë fryrjen e lumit dhe vazhdimin e gërryerjes së themeleve të stacionit. Balliu i ka kërkuar ndihmë prefekturës për të ndërhyrë sa më parë në mbrojtjen e ujësjellësit. Ndërkohë probleme janë hasur në kthesën e Murrashit përgjatë aksit nacional Elbasan-Librazhd me rrëshqitjen e gurëve dhe dherave. Me ndërhyrjen e ndërmarrjes së mirëmbajtjes situata është normalizuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›