Basha kerkon nje Ballkan pa viza

TIRANE- Me pare se te kerkojme liberalizim vizash me vendet e BE-se, duhet te kerkohet levizja e lire e njerezve dhe e mallrave me vendet fqinje. Shqetesimi ka ardhur nga shefi i diplomacise shqiptare, teksa ne konferencen e ambasadoreve ne Tirane, ka kerkuar nga perfaqesuesit diplomatike, te marrin seriozisht vendosjen e urave te komunikimit me vendet e rajonit. Ministri i Jashtem, Lulezim Basha hodhi diten e djeshme propozimin per liberalizimin e vizave mes vendeve te Evropes Juglindore. Duke folur perpara ambasadoreve te vendit tone ne bote, ministri Basha kerkoi prej tyre te lobonin ne vendet ku ishin vendosur, per te bere realitet kete ide, pasi edhe qeveria do te bente punen e saj ne kete kuader. Sipas Bashes, eshte i nevojshem krijimi i nje zone te lire per vendet e Evropes Juglindore, pasi do te ndihmonte ne shkembimet tregtare mes ketyre shteteve, duke ndihmuar edhe levizjen e lire te qytetareve. "Krijimi i nje zone te lire tregtare per Evropen Juglindore, eshte tashme nje arritje konkrete e integrimit tone rajonal. Por ky proces integrimi tregjesh nuk eshte i plote dhe nuk mund te jete funksional, pa sigurimin e kushteve per levizjen e lire te qytetareve ne rajon", deklaroi ministri i Jashtem Basha, ne diten e dyte te punimeve te Konferences se Ambasadoreve. Sipas Bashes eshte paradoksale, se ndersa ky rajon ka hapur negociatat me Komisionin Evropian per levizjen e lire ne BE, ende nuk ka asnje avancim per sa i perket levizjes brenda rajonit. "Eshte paradoksale dhe e pashpjegueshme qe nderkohe qe avancojme ne dialogun e liberalizimit te vizave me Bashkimin Evropian, ne ende nuk e kemi arritur kete mes nesh", deklaroi ministri i Jashtem ne fjalen e tij. Sipas tij, Shqiperia pret qe me te gjitha vendet e rajonit te negociojme e perfundojme marreveshje te levizjes se lire sic kemi bere kete vit me Maqedonine, duke e "shengenizuar" sa me pare rajonin tone. Ai theksoi edhe se nje treg i perbashket i energjise ne rajon do te ndikonte ne menyre te ndjeshme ne zhvillimin e secilit shtet. "Sfida jone e perbashket eshte te arrijme te realizojme projekte me interes ne sektoret e energjise e transportit, konkretizimin e Tregut Rajonal Energjetik, vecanerisht per realizimin e projekteve te interkoneksioneve dhe te linjave te transmetimit te energjise ne rajon", deklaroi Basha. Ai permendi progresin e bere nga vendi si per sa i takon procesit te integrimit, po ashtu edhe reformave te cilat jane ndermarre ne vend, nga qeveria.