E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveri-Prokurori, përplasje për godinën e re

Burime të besueshme pranë dikasterit të Drejtësisë, bënë të ditur se Alibeaj ka vendosur që në ambientet e godinës së Gjykatës së Krimeve të dërgojë Avokaturën e Shtetit, duke lënë “jashtë” prokurorët e Krimeve të Rënda. 

TIRANE- Konfliktet mes qeverisë dhe prokurorisë duket se nuk kanë të sosur. Një vendim i marrë së fundmi nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, pritet të krijojë një tjetër përplasje mes institucioneve. Burime të besueshme pranë dikasterit të Drejtësisë, bënë të ditur se Alibeaj ka vendosur që në ambientet e godinës së Gjykatës së Krimeve të dërgojë Avokaturën e Shtetit, që drejtohet nga ish-zv/ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi, duke lënë “jashtë” prokurorët e Krimeve të Rënda. E kontaktuar në telefon, zëdhënësja e ministrit, Migena Demirxhi, nuk e pranoi hapur një fakt të tillë, duke u shprehur se “mundet që Avokatura e Shtetit të kalojë në godinën e Gjykatës së Krimeve të Rënda”. Në një kohë kur zyrtarë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda thanë se janë ende në pritje të vendimit të ministrisë. Por nëse një vendim i tillë i ministrit vihet në jetë, atëherë jemi përpara një skandali që duket se ka për qëllim “bllokimin” e institucionit të pavarur të prokurorisë. Godina e Gjykatës së Krimeve të Rënda, është një projekt i financuar nga Bashkimi Europian dhe në të do të vendoseshin Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Apeli për Krimet e Rënda, si dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda. Në një kohë kur dy shkallët e gjyqësorit kanë nisur punën në godinën e re që në fillim të shtatorit, prokurorët e Krimeve të Rënda nuk janë transferuar ende. Prokurorët shprehen se janë në pritje të një urdhri për të lëvizur prej godinës së vjetër, por në fakt deri më tani nuk është bërë asgjë. Ndërtimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda nisi në vitin 2007 dhe përfundoi brenda vitit. Godina është projektuar në mënyrë të tillë që të ofrojë kushtet e përshtatshme për funksionimin sa më normal të proceseve penale si dhe kushte të rehatshme pune.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›