Basha kërkon shkarkimin e Artur Zhejit nga drejtimi i TVSH-së

08/06/2005 Partia Demokratike ka akuzuar dje drejtorin e Përgjithshëm të TVSH, Artur Zheji, se po përdor të vetmin televizion publik në vend në favor të Partisë Socialiste, gjatë pasqyrimit të fushatës elektorale. Zëdhënësi i fushatës së PD, Lulëzim Basha, me anë të një deklarate është shprehur se drejtori i TVSH-së duhet të ndajë postin nga miqësia, që ka ky i fundit me Kryeministrin. “Partia Demokratike e Shqipërisë proteston ndaj mënyrës se si Televizioni Publik Shqiptar po shpërdoron në mënyrë të qëllimshme kohën televizive në dispozicion të Partisë Demokratike. Rasti i fundit ka ndodhur dy ditë më parë, kur në edicionet e lajmeve të këtij televizioni, pasqyrimi i aktiviteteve elektorale të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike ishte vendosur me një diferencë prej 45 minutash. Kjo sjellje e TVSH nën drejtimin e drejtorit të këtij televizioni, Artur Zheji, është e përsëritur dhe e qëllimshme. Për këtë arsye i sjellim në vëmendje z.Zheji se detyra e tij është të drejtojë Televizionin Publik në mënyrë të paanshme dhe jo partizane në favor të qeverisë socialiste. Ky institucion duhet të respektojë funksionin e tij të informimit të publikut mbi ngjarjet dhe aktivitetet politike me korrektësi, si detyrim ndaj taksapaguesve që e financojnë atë. Zheji duhet të ndajë miqësinë e tij me Nanon nga detyra e tij si drejtor i Përgjithshëm i TVSH”, tha Basha.