LSI: KQZ është e njëanshme politikisht
08/06/2005 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hedhur poshtë kërkesën e Lëvizjes Socialiste për Integrim për të ndryshuar pozicionin e grupeve të numrit të votave kundrejt vëzhguesve të subjekteve zgjedhore. Nënkryetari i LSI-së, Sabit Brokaj, ka sulmuar institucionin e lartë zgjedhor, duke e cilësuar atë si një organizëm partiako-politik. Sipas tij, “KQZ-ja në të gjitha rastet ka provuar se është në rolin e një organizmi partiako-politik i ngjashëm me komisionin PS-PD për Kodin Zgjedhor në qëndrimet e tij ndaj LSI-së, dhe nuk ka pranuar propozimet tona, duke cënuar kështu parimin e barazisë së subjekteve zgjedhore pjesëmarëse në zgjedhje, si dhe duke lejuar hapësira të mundshme manipulimi të procesit zgjedhor, gjë që është vërejtur rëndom në zgjedhjet e mëparshme“. Propozimet e LSI-së konsistonin në rritjen e transparencës gjatë procesit të numërimit të votave. Kjo nëpërmejt ndryshimit të pozicionit dhe distancës së GNV-ve përkundrejt vëzhguesve të subjekteve zgjedhore, në mënyrë që këta të jenë në gjendje të monitorojnë votën që zgjedhësit i kanë dhënë këtyre subjekteve zgjedhore. Gjithashtu, sipas LSI-së, zëvendësimi i vëzhguesve jo më vonë se 15 ditë përpara 3 korrikut, duhet të hiqet në rastet kur vëzhguesit mungojnë për arsye shëndetësore, vdekje apo dorëheqje.