E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbingarkesa për ngrohje, rrjeti i amortizuar rrezikon nxënësit

Gjirokastër-Ngrohja me energji elektrike është e vetmja mundësi për nxënësit e shkollave të qytetit të Gjirokastrës në këto ditë të ftohta dimri. Në kushtet e mungesës së ngrohjes me dru zjarri apo kaldaja, ngrohja me rezistenca elektrike është parë si një mundësi për të “zbutur” disi temperaturat e acarta të këtij dimri në klasat e mësimit. Por për shkak të rrjetit të amortizuar të energjisë, ngrohja me rezistenca ka vënë në rrezik jetën e nxënësve. “Gjatë ditëve të fundi ne kemi përdorur rezistencat elektrike për ngrohje, por në disa raste, në prizat e klasave si dhe përgjatë rrjetit të shpërndarjes së energjisë në shkollë janë shfaqur shkëndija dhe flakë”, - thonë nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Urani Rumbo”. Ka qenë ndërhyrja në kohë e mësuesve të shkollës, të cilët kanë bërë stakimin e furnizimit me energji elektrike, që ka evituar vatrat e mundshme të zjarrit si shkak i shkëndijave elektrike dhe rrjetit të amortizuar të energjisë në këtë shkollë. Probleme në rrjetet e amortizuara të energjisë elektrike për shkak të përdorimit të rezistencave për ngrohje janë shfaqur edhe në godinat e tjera shkollore në qytetin e Gjirokastrës. “Rrjeti i amortizuar i energjisë elektrike e bën të pamundur edhe ngrohjen me energji, duke i zhytur sërish klasat në temperaturat e akullta të këtij dimri”, - thonë mësuesit e shkollave në Gjirokastër. B.SH

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›