E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha, kritika të ashpra policisë: Barra për heqjen e vizave bie mbi ju

Sapo janë stabilizuar në postin e ri, gjithë drejtorët e policisë janë thirrur nga ministri i Brendshëm dhe janë përballur me kritika të ashpra, me qëllim përmirësimin e punës në gjithë strukturat e policisë. Çështjet në diskutim kanë qenë të ndryshme, që nga krimi i organizuar, dosjet e vjetra, e deri tek aksidentet rrugore, ku ministri Lulzim Basha ka kërkuar intensifikim në betejën kundër krimit. Gjithashtu, ai nuk ka lënë pa përmendur se reforma do të vijojë më tej.

Krimi i organizuar
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, u kërkoi drejtuesve të Policisë së Shtetit të përmirësojnë rezultatet e punës së tyre dhe të rrisin efektivitetin e forcës zbuluese, parandaluese dhe goditëse ndaj kriminalitetit. Në një takim me drejtuesit e sapoemëruar të policisë në qarqe, ministri Basha theksoi se arritja e parametrave të vendeve të BE në luftë kundër të gjitha veprimtarive kriminale dhe realizimi i detyrave të përcaktuara për Policinë e Shtetit në progres-raportin për Shqipërinë, përbëjnë edhe detyrimet kryesore për përfitimin e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë. "Barra kryesore për liberalizimin e vizave bie mbi Policinë e Shtetit. Suksesi i Policisë së Shtetit në përmbushjen e detyrimeve është përcaktuesi kryesor në premtimin më të madh të kësaj mazhorance, heqjen e vizave brenda vitit që vjen deklaroi ministri Basha. Në të njëjtën kohë, ministri Basha paralajmëroi vazhdimin e reformës, e cila siç tha ai, ka për qëllim rritjen e efektivitetit të Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimit financiar. Duke kërkuar në mënyrë të veçantë përmirësimin e rezultateve të punës në qarqe, ministri Basha parashtroi në takim disa detyra të rëndësishme për zbatim nga të gjithë drejtuesit e strukturave policore. Kështu, në mënyrë të veçantë, ai ka kërkuar intensifikimin e betejës kundër krimit të organizuar, sidomos në luftën kundër drogës dhe prostitucionit. Më tej, ai ka kërkuar që dosjet që dërgohen në prokurori të jenë me prova më të plota, duke përdorur teknikat speciale dhe të dhëna shkencore të hetimit. Veç këtyre, Basha ka kërkuar vëmendje të veçantë në identifikimin dhe goditjen e kultivuesve të bimëve narkotike dhe luftë me tolerancë zero kundër prostitucionit.

Dosjet e vjetra
Jashtë vëmendjes së tij, nuk ka mbetur edhe hetimi dhe zbulimi i ngjarjeve të vjetra dhe ato të mbetura pa autorë, ashtu siç është edhe vrasja e deputetit Fatmir Xhindi. Duke kaluar edhe në aspektin social, ministri i Brendshëm vuri në dukje se duhet forcuar edhe lufta kundër vjedhjeve dhe mbajtja nën kontroll e kontingjentit kriminal. Gjithashtu, ministri Basha e cilësoi të patolerueshëm faktin se akte të shumta kriminale mbeten të pazbuluara, ndaj kërkoi që të ushtrohet kontroll i njëtrajtshëm në këtë drejtim në të gjithë qarqet e vendit dhe në çdo cep të territorit. "Elementët kriminalë duhet të ndiejnë kudo presionin, forcën dhe goditjen e Policisë së Shtetit", theksoi ministri i Brendshëm. Basha i kushtoi një vend të veçantë në fjalën e tij problemeve të qarkullimit rrugor, duke e konsideruar situatën e tanishme në këtë drejtim si të frikshme dhe kaotike, me shkelje të shumta që për më tepër edhe tolerohen nga punonjësit e policisë. Ndërsa i cilësoi të papranueshme tolerimet në këtë drejtim dhe kërkoi që subjektivizmi të shkojë drejt zeros, Basha bëri të ditur se po përgatitet një masterplan masash me komponentët e duhur teknologjikë për të evidentuar të gjitha shkeljet e mundshme, si dhe paralajmëroi ndryshime të nevojshme në legjislacion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›