E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, ekzekutohet më armë një 46-vjeçar

Një 46-vjeçar është qëlluar për vdekje me armë zjarri, pak pas mesditës së djeshme, në qytetin e Shkodrës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 14:30 të së martës në periferi të qytetit, në ambientet e jashtme të një ndërmarrjeje rrobaqepësie. Mësohet se viktima quhet Bashkim Bajri, 46 vjeç, banues në lagjen "Rus" të qytetit, ndërsa autor i ngjarjes është 20-vjeçari Nelson Sokoli, banues në lagjen "Fermentim" të Shkodrës. Sipas burimeve nga policia lokale mësohet se autori i krimit ishte i punësuar si roje private pranë rrobaqepësisë. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se 46-vjeçari Bajri pasdreken e djeshme kishte shkuar të takojë një të njohurin e tij, por është penguar nga roja për të hyrë në ambientet e brendshme të ndërmarrjes private. Në momentin që viktima është afruar te dera, mes dy burrave ka nisur një debat i çastit, i cili ka degjeneruar në fyerje reciproke dhe përplasje fizike mes tyre. Më pas 20-vjeçari Nelson Sokoli ka shkuar në banesë, që ndodhet shumë pranë vendit të ngjarjes, ka marrë një automatik dhe është kthyer duke qëlluar dy herë mbi 46-vjeçarin Bashkim Bajri. Pas kësaj ai është larguar me shpejtësi duke marrë me vete dhe armën e krimit, të cilën e mbante pa leje. I lënduari është dërguar me urgjencë për në spitalin rajonal të Shkodrës, por me gjithë ndërhyrjen e mjekëve nuk është bërë shpëtimi i jetës së tij. Dy plagët e marra kanë rezultuar fatale për 46-vjeçarin, i cili ka ndërruar jetë pak minuta pasi ka mbërritur në urgjencën e spitalit të qytetit. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka sekuestruar dy gëzhoja automatiku në cilësinë e provës materiale. Krismat e armës kanë krijuar panik te punonjëset e ndërmarrjes së rrobaqepësisë, të cilat kanë rendur të dalin jashtë të trembura. Kjo ka vështirësuar punën e policisë në momentin e ngjarjes dhe fillimisht ka qenë e vështirë grumbullimi i provave materiale në vendin e ngjarjes. Ndërkohë uniformat blu kanë mbledhur deklaratat e dëshmitarëve okularë dhe nga hetimet paraprake është mësuar se autor i vrasjes ka qenë 20-vjeçari Sokoli. Menjëherë pas kësaj, policia është vënë në kërkim të autorit, i cili sipas informacioneve ishte fshehur në vendin e quajtur kodrat e Bardhajve. Pasi është bërë rrethimi i vendit ku dyshohet se fshihej i kërkuari, policia ka bërë prangosjen e tij. Autori i vrasjes në momentin e arrestimit nuk ka treguar rezistencë ndaj uniformave blu, të cilat në të njëjtën kohë i kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe armën e krimit, një automatik model 54.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›