"Remzi Hoxha", avokatët: Lironi nga burgu Kumbaron
Gjykata e Krimeve të Rënda ka hedhur poshtë kërkesën e avokatëve mbrojtës të Ilir Kumbaros, ish-kreut të degës së Shërbimit Informativ Kombëtar në Tiranë, të cilët kërkuan dorëheqjen e prokurorit të çështjes "Remzi Hoxha". Avokatët e Kumbaros kërkuan dorëheqjen e prokurorit Xhevat Hana, me pretendimin se ai ka qenë komisioner pranë Zyrës së Avokatit të Popullit në kohën kur është dhënë një vendim për çështjen e zhdukjes së biznesmenit shqiptaro-maqedonas, ndaj nuk mund të përfshihet sërish në këtë çështje. Por gjykata u ka shpjeguar mbrojtësve që kërkesën duhet ta dorëzojnë në prokurori dhe jo në gjykatë. Ndërkohë që trupi gjykues i kryesuar nga ana e gjyqtarit Xhelal Elezi ka vendosur edhe rrëzimin e kërkesës për shuarjen e masës së sigurisë ndaj Ilir Kumbaros. Dy mbrojtësit i kanë argumentuar gjykatës se ndaj klientit të tyre gjykata vazhdon të mbajë në mënyrë të padrejtë masën e sigurisë "arrest me burg". "Masa e sigurisë është vendosur në datën 12 shkurt të vitit 2003. Ndërkohë që më pas klienti ynë është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Dimë që është arrestuar një person në Mbretërinë e Bashkuar, me qëllim ekstradimi, i cili deklaron se nuk është Ilir Kumbaro. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka pranuar dy standarde të procedimit. Ndaj tre të pandehurve të tjerë është shuar masa e sigurisë, ndërkohë që ndaj klientit tonë kjo masë është ende në fuqi. Theksojmë se kjo dosje është pushuar në vitin 2004 dhe me pushimin e dosjes automatikisht pushohet edhe masa e sigurisë. Për këtë arsye kërkojmë prishjen e masës së sigurisë", kanë theksuar dje avokatët Bledar Fejzo dhe Vojo Bregu. Prokurori i çështjes, Xhevat Hana, i ka kërkuar gjykatës të drejtën për t‘u shprehur në një seancë tjetër, ku do të paraqesë kërkesat e tij edhe për të pandehurit e tjerë. Hana i tha gjykatës se masa e sigurisë ndaj Kumbaros nuk është ekzekutuar asnjëherë, duke e krahasuar me të pandehurit e tjerë, të cilët kanë qëndruar edhe një vit në burg dhe më pas janë liruar pas pushimit të çështjes. Gjatë seancës së djeshme gjyqësore, dëshmuan dy persona. Dëshmitari i parë ishte Zyber Shehu, i cili kishte punuar në Shërbimin Informativ Shtetëror në vitet 1993-1996 në qytetin e Lushnjës, me detyrë të nënoficerit. Dëshmitari ka treguar se në asnjë rast nuk kishte shoqëruar ndonjë person. Dëshmitari i dytë ishte Maliq Xheka me detyrë inspektor vëzhgimi në Drejtorinë e Tiranës gjatë viteve 1992-1997. Xheka, i cili deri disa vite më parë kishte qenë person nën kërkim, tregoi se shefi i tij ka qenë Avni Koldashi. Por ai nuk kishte njohur asnjë person me emrin Remzi Hoxha, si dhe nuk kishte marrë pjesë në vëzhgimin e tij.