E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kakomeja, Apeli "rrëzon" banorët

Rrëzohen pretendimet e banorëve mbi pronësinë e tyre në zonën bregdetare të Kakomesë. Gjykata e Apelit të Tiranës shpalli vendimin që rrëzoi përfundimisht pretendimet e banorëve të fshatit Nivicë për pronësinë mbi tokën në Kakome. Seanca gjyqësore duket se i dha fund një procesi, për të cilin një vit më parë, po Gjykata e Tiranës, por e Shkallës së Parë, dha të njëjtin vendim. Verdikti gjyqësor, i marrë dje pas disa seancash maratonë, i hap rrugën investimit për ndërtimin e fshatit turistik në Kakome, sipas projektit të paraqitur nga shoqëritë "Riviera" dhe "Club Med", që ishin penguar herë pas here në realizimin e projektit turistik.
Konflikti i krijuar mes shoqërive prestigjioze dhe banorëve të fshatrave pranë bregdetit të Jugut, në shumë raste ka sjellë bllokimin e punimeve të firmës ndërtuese, derisa çështja përfundoi në dyert e gjykatave. Ky konflikt, që në disa raste është shoqëruar me reagime të dhunshme nga banorët mbi mjetet e firmës dhe punonjësve të saj, ka filluar në vitin 2004, kur Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë (KRRTRSH) miratoi lejen e ndërtimit të një prej fshatrave elitare turistikë në zonën e Kakomesë. Por ky ndërtim, pas incidenteve ku u përfshinë banorët, u bë objekt i shqyrtimit të Agjencisë Shtetërore të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e cila konstatoi se trualli i pretenduar ka qenë gjithmonë pronë shtetërore. Si prova janë shfrytëzuar dhe përfundimet e arritura në gjykimet e viteve 1932 dhe 1934. Sipas arkivit, të gjitha dokumentet e shqyrtuara nga Oborri Mbretëror dhe gjykatat shqiptare të të gjitha shkallëve të kohës së monarkisë, ashtu si dhe sot, kanë konkluduar që pronar i vetëm i zonës është shteti shqiptar. Në këtë zonë, në bazë të projektit të paraqitur nga shoqëritë "Riviera" dhe "Club Med", do të ndërtohet një fshat turistik, i pari i këtij lloji në vendin tonë. Projekti, sipas të dhënave, po zhvillohet mbi një tokë publike me sipërfaqe prej 70 ha, në bazë të një marrëveshjeje qiraje të lidhur mes Ministrisë së Rregullimit të Territorit e Ministrisë së Turizmit dhe shoqërisë "Riviera" sh.p.k., për një periudhe prej 99 vjetësh. Në këtë projekt është përfshirë shoqëria "Club Med", e njohur në botë në fushën e akomodimit turistik. Sipas të dhënave të projektit, fshati turistik në Kakome do të ndërtohet duke ruajtur bregdetin dhe natyrën në përgjithësi të zonës. Numri i shtretërve pritet të jetë i kufizuar (rreth 700) dhe parashikohet të tërheqë turistë elitarë. Transporti i turistëve do të kryhet me anije të posaçme, ndërsa nuk përjashtohet edhe lundrimi me jaht

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›