E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha me homologun qipriot: Kosova, rast “sui generis”

Qipro është një nga vendet e Bashkimit Evropian që ka mbajtur qëndrim të kundërt me vendet e tjera për sa i përket pavarësisë së Kosovës. Ky qëndrim lidhet me problemet që po përjeton vetë Qiproja, një ishull i ndarë sot në dy pjesë, në Qipron greke dhe në Qipron turke. Por gjatë qëndrimit në Tiranë, ministri i Jashtëm qipriot, Markos Kyprianou, ka pasur rastin ta shohë në një dritë tjetër çështjen e Kosovës, pasi ka biseduar me homologun shqiptar, Lulzim Basha dhe krerë të tjerë të shtetit. Kryediplomati shqiptar ka tentuar ta bindë homologun e tij për veçantinë që ka Kosova si rast, duke mos e krahasuar me raste të tjera në rajon dhe më gjerë. Pas takimit me ministrin qipriot, Basha zbardhi disa detaje të bisedës kokë më kokë. Ai tha se “gjatë bisedimeve dypalëshe me homologun qipriot dhe delegacionin që ai kryeson u ndalëm në zhvillimet në rajon, në veçanti për situatën në Kosovë, duke e konsideruar një rast “sui generis”, duke diskutuar mbi virtytet e planit “Ahtisari”, si zgjedhja më e mirë që ofron garancitë optimale për minoritetet dhe e vetmja zgjidhje për një Ballkan stabël dhe me orientim evropian dhe euroatlantik”. Gjithashtu, këtë gjë ka bërë dhe Presidenti Bamir Topi gjatë takimit me Kyprianou, ku ka vënë dukje se rajoni i Ballkanit, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e cila është një rast “sui generis”, ka fituar një paqe dhe qëndrueshmëri afatgjatë, duke u projektuar i tëri drejt rritjes dhe forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe integrimit në familjen e madhe evropiane. Por megjithëse nuk mund ta ndryshonin qëndrimin e Qipros në një ditë, krerët shqiptarë kanë marrë nga ministri i këtij vendi premtimin për ndihmë ndaj Kosovës.

Kyprianou tha se "pavarësisht nga pozicioni jonë i mosnjohjes së Kosovës, ne do të inkurajojmë edhe vendet e tjera anëtare të BE-së që të mbështesin dhe ndihmojnë popullin e Kosovës përmes asistencës teknike dhe financiare. Pavarësisht nga qëndrimet e ndryshme që mund të kenë palët për këtë çështje, kjo nuk duhet të shkojë në dëm të interesave të popullit të Kosovës". Ai i bëri komentet gjatë një konference për shtyp, pas takimit me ministrin Basha. Ministri qipriot shtoi se "zgjidhja e çështjes së Kosovës është një zgjidhje “sui generis” dhe ajo nuk mund të shërbejë si precedent për raste të tjera. Por, ndërkohë ne jemi për respektimin e integritetit dhe sovranitetit territorial dhe në këtë drejtim, ne do të donim të kishte një rezolutë të Kombeve të Bashkuara". Por nga ana tjetër si një vend anëtar i BE-së, Qiproja do të mbështesë misionin EULEX në Kosovë. "Pavarësisht nga ky diskutim parimor, ne jemi që BE ta ndihmojë popullin e Kosovës dhe e mbështesim vendosjen atje të misionit të saj, EULEX. Gjithashtu, ne do të donim, që sa më shpejt të jetë e mundur, nga ana e OKB-së të merren masa që ky mision të funksionojë në Kosovë", - nënvizoi z. Kyprianou.

Ndërkohë ministri shqiptar i Jashtëm ka prekur dhe çështjen qipriote, duke ofruar qëndrimin e Shqipërisë në këtë rast. “Ne mbështesim idenë e zgjidhjes politike të Çështjes së Qipros në mënyrë paqësore dhe realiste nëpërmjet negociatave mes palëve greko-qipriote dhe turko-qipriote, brenda kuadrit të OKB-së dhe bazuar në standardet dhe vlerat ndërkombëtare dhe ato evropiane”, - tha Basha.

Vizat me BE-në

Zyrtarët shqiptarë që u takuan me përfaqësuesin e Qipros e falënderuan atë për ratifikimin e MSA-së mes Shqipërisë dhe BE-së. Ndërkohë ministri Basha duke iu referuar miratimit të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave midis BE-së dhe Shqipërisë, tha se “ky është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm, simbolika e të cilit, por edhe vlera praktike e të cilit, nuk mund të anashkalohen apo të theksohen mjaftueshëm për një vend, i cili vjen nga një izolim i thellë ku mobiliteti i qytetarëve ka pasur dhe vazhdon të ketë një dimension të veçantë për shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe për familjarët e tyre në Shqipëri”. Ai shtoi se “ky hap, padyshim, është në drejtimin e duhur për të arritur brenda një kohe sa më të shkurtër një nga objektivat më madhorë të Shqipërisë, lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në të gjithë hapësirën e BE-së”. Të dy ministrat folën për bashkëpunimin ekonomik dhe nënshkruam “Marrëveshjen e Transportit Ndërkombëtar Rrugor të Udhëtarëve dhe Mallrave”.

Forumi

Biznesmenët qipriotë ftohen të investojnë në Shqipëri

Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, ka ftuar dje biznesin qipriot që të investojë në Shqipëri, pasi, sipas tij, “reformat e ndërmarra nga qeveria “Berisha”, po e bëjnë Shqipërinë vendin më atraktiv për investime”. Basha dhe homologu i tij qipriot, Markos Kyprianou, përshëndetën punimet e "Forumit të biznesit Shqipëri-Qipro", organizuar nga Unioni i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë në mjediset e Pallatit të Kongreseve në Tiranë. Në këtë forum marrin pjesë 10 kompani më të mëdha qipriote, që ndodhen prej 2 ditësh në Tiranë për një mision biznesi. Duke u ndalur në vështirësitë që kanë ende bizneset, sikurse janë problemet me energjinë, infrastrukturën, me pronësinë mbi tokën etj., z. Basha vlerësoi si mundësi mjaft të mirë për investimet e huaja, masat e shpejta të ndërmarra nga qeveria për të zbutur këto efekte, sikurse janë dhe krijimi i zonave të lira, që këtë vit do të hapen në Durrës dhe Shkodër, politikat e ndërmarra nga qeveria për regjistrimin e biznesit në QKR etj. Ministri duke ftuar investitorët qipriotë për investime në Shqipëri, i siguroi ata se "qeveria shqiptare do të mbështesë çdo biznesmen, i cili në përfundim të kësaj vizite, do të vendosë për investime në Shqipëri. Këtë e kemi bërë dhe për investitorë të tjerë dhe kjo përpjekje ka qenë e suksesshme". Ndërkohë ministri i Jashtëm qipriot, Kyprianou, vlerësoi mundësitë e shumta për investime që afron Shqipëria në shumë fusha. Ai vlerësoi arritjet e Shqipërisë, rritjen ekonomike prej 6% në vit, ruajtjen e inflacionit në nivele të qëndrueshme etj. "Shqipëria është akoma e panjohur, por ka interes të madh për ta bërë këtë dhe ndaj ne po punojmë për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve", - theksoi mes të tjerave ministri Kyprianou, i cili shprehu vullnetin e plotë të qeverisë së Qipros, për të zgjeruar bashkëpunimin në të gjitha fushat me Shqipërinë dhe për të çuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›