E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri: Kemi kursyer 110 milionë euro

Kryeministri Sali Berisha pranoi dje se ka ende korrupsion, por ka ndryshime të jashtëzakonshme gjatë qeverisjes demokratike. Këtë deklaratë ai e bëri gjatë turit në Jug të vendit dhe pikërisht në qytetin e Vlorës. Duke i faktuar këto ndryshime me shifra, z. Berisha tha se ne nxorëm administratën jashtë konfliktit të interesit. Sipas tij, asnjë ministër, asnjë zyrtar, nuk ka konflikt interesi, i cili është leva e Arkimedit të korrupsionit. “Ne nxorëm administratën jashtë konfliktit të interesit”, - tha Kryeministri, duke nënvizuar se "ne shkurtuam 33 % administratën shtetërore, 24 për qind portofolat, vendosëm kritere me të cilat edhe Kryeministri edhe ministrat, zyrtarët, nuk mund të përdorin paratë tuaja për qëllime personale. Shpenzimet operative të administratës që unë kryesoj janë shkurtuar me 31 për qind dhe janë kursyer në këtë mënyrë 110 milion euro". Kryeministri u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkohen në këtë betejë të qeverisë për të luftuar korrupsionin. "Ne do ta fitojmë këtë betejë”, - tha Kryeministri, duke kërkuar nga qytetarët që në asnjë rast të mos japin ryshfet. “Duhet t’u tregojmë të tjerëve se nuk jemi njerëz të ryshfetit, por jemi njerëz të moralit të pastër”, - tha Kryeministri, duke kërkuar që të gjithë të denoncojnë rastet e korrupsionit, pasi “ne kemi një ligj që mbron ata që denoncojnë”. Ndërkaq Kryeministri vuri në dukje se qeveria që ai drejton nisi betejën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe deri tani janë ndjekur dhe ndaluar 260 grupe kriminale, kudo që ishin. “Zotimi ynë - zero tolerancë ndaj krimit”, - tha Kryeministri, duke nënvizuar se ne iu zotuam të 26 partnerëve të NATO-s se ishim të gatshëm të garantonim jetën e qytetarëve tanë. Kreu i qeverisë vuri në dukje ndër të tjera se mazhoranca erdhi në pushtet në një kohë kur korrupsioni ishte shndërruar në sistem. “1.4 miliard lekë nga tatimet dhe taksat përfundonin në xhepat e kontrabandistëve, evazorëve”, - tha Kryeministri, duke nënvizuar se ne erdhëm në pushtet kur ministrat e kabinetit drejtonin monopolet e ushqimeve, të naftës, kur shpenzimet operative të administratës dhe qeverisë ishin më të larta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›