E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet; PS mban peng “ëndrrën” e Gjinushit



Partia Socialiste mban peng procesin e bashkimit me aleaten e saj më të ngushtë, PDS-në e Skënder Gjinushi. Kjo e ka detyruar këtë parti që të marrë vendimin për të filluar përgatitjet për të dalë e vetme në zgjedhjet e 2009-s. Këshilli Drejtues Kombëtar, duke parë situatën “as andej e as këtej” të PSD-së, vendosi dje që të shpallë nisjen e fushatës elektorale si parti më vete. Situata nuk duket aspak e favorshme për Partinë Socialdemokrate. Për momentin në horizont janë dy pengesa të mëdha që nuk i lejojnë as aleancat parazgjedhore dhe as bashkimin me PS-në, të paktën para zgjedhjeve të 2009-s. Zgjedhjet parlamentare do të jenë testi më i vështirë elektoral që do të kalojnë partitë politike, kjo sidomos me ndërrimin e sistemit elektoral mjaft favorizues për partitë e mëdha. Ajo çfarë mund të nxjerrë partitë e vogla nga kriza mes tyre edhe PSD-në janë taktikat elektorale që mund të sanksionohen me bërjen e rregullave të reja në Kodin Zgjedhor, që pritet të miratohet brenda këtij sesioni parlamentar. Burime nga PDS-ja bënë të ditur dje se aleatja e saj nuk ka dhënë ende një përgjigje për bashkimin me të dhe se është në pritje të qëndrimit të saj. “Deri atëherë, thanë burimet, na duhet të presim, ndërkohë që PSD do të vazhdojë të qëndrojë me dyert e hapura për të”. Megjithëse bashkimi do të jetë një proces i gjatë, duket se PS-së nuk i intereson që të ndodhë para zgjedhjeve parlamentare të vitit që vjen, çka mund të sjellë konfuzion në elektoratin e majtë. Kështu që ambicia e kreut të PSD-së, Gjinushi, për të qenë një me PS-në shtyhet për pas zgjedhjeve të 2009-s. Nga ana tjetër që të arrijë të mbijetojë, aleanca parazgjedhore do të jetë shpëtim për PSD-në. Pak ditë më parë, publikisht, Gjinushi i sugjeroi aleates së tij që të bëjë aleancë parazgjedhore, duke kristalizuar këtu aleancën PS-PDS, pa LSI-në. Madje, për këtë të fundit Gjinushi propozon të minimizohet sa më shumë. Por që të arrihet deri në këtë aleancë parazgjedhore, më parë ajo duhet të sanksionohet në Kodin Zgjedhor.

Nisja e fushatës

Që nga dje, PSD ka shpallur fillimin e fushatës elektorale, për momentin e vetme, pa asnjë aleancë. Gjinushi bëri të ditur se PSD do të konkurrojë në çdo qark, sipas ligjit të ri, me listën e saj, duke synuar rezultat dinjitoz, ndërsa taktikat zgjedhore do të varen nga Kodi Zgjedhor. Gjinushi e vlerëson partinë e tij si një faktor kyç të bashkimit dhe fitores së të majtës në zgjedhjet e ardhshme. “PSD është forca çelës dhe përcaktuese në fitoren e së majtës në 2009. Ajo mbetet forca më e qartë dhe më garantuese e bashkimit të së majtës. Bashkimi nga ne është kërkuar, sepse kjo është një kërkese e gjithë elektoratit të majtë, dhe jo si një mjet për mbijetesën apo konkurrencën e PSD-së”, deklaroi kreu i PSD. Edhe pse kërkon të tregojë forcën e vet elektorale, referuar rezultatit që arriti kjo parti në zgjedhjet e fundit vendore, vetëm, një aleancë me PS-në mund ta shpëtojë atë dhe t’i mundësojë hyrjen sërish në Kuvend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›