E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha pret sot homologun qipriot

Ministri i Jashtëm i Republikës së Qipros, z. Markos Kyprianou, do të zhvillojë nga datat 6-7 qershor një vizitë pune në Tiranë, me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme, Lulzim Basha. Zyra e Shtypit pranë MPJ-së bëri të ditur dje se gjatë kësaj vizite, z. Kyprianou do të zhvillojë bisedime me homologun shqiptar, Lulzim Basha, si dhe do të ketë takime të veçanta me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Procesi i integrimit në BE, zhvillimet në rajonin tonë, si dhe ecuria e bashkëpunimit dypalësh, do të jenë temat e diskutimit mes dy homologëve. Sipas Zyrës së Shtypit pranë MPJ-së, gjatë kësaj vizite, pritet dhe Nënshkrimi i Marrëveshjes Dypalëshe për Transportin Ndërkombëtar Rrugor. Është parashikuar gjithashtu edhe pjesëmarrja e dy ministrave të Jashtëm në takimin e Forumit të Biznesit Shqipëri-Qipro, me përfaqësuesit e komunitetit të biznesit shqiptar dhe atij qipriot.

PDR: Infrastrukturë serioze për votimin e emigrantëve

Demokratët e reformuar kërkojnë ngritjen e një infrastrukture serioze dhe transparente, që të përmbushë detyrat për votimin e emigrantëve shqiptarë, që përbëjnë një të tretën e votuesve. Kjo, me qëllim shmangien e problemeve që mund të krijohen gjatë votimit pranë përfaqësive diplomatike. Partia Demokrate e Re vlerësoi dje pozitiv faktin, që në votimin për zgjedhje të përfshihen dhe emigrantët. Sipas nënkryetarit të PDR-së, Tritan Shehu, mundësia e votimit të emigrantëve është emancipues, një vlerë morale, politike, kombëtare dhe është padyshim një hap përpara. “Nga ana tjetër, duhet të veprohet me seriozitet, të ngrihet një infrastrukture e tillë, që të përmbushë detyrat, të jetë transparente, e organizuar mirë, në mënyrë që të mos krijohen probleme”, - tha z. Tritan Shehu. Shehu vuri në dukje se “votimi i shtetasve pranë përfaqësive diplomatike kur ndodhen jashtë vendit të tyre, është një praktikë e realizuar në vendet e tjera. Kjo praktikë bëhet më e domosdoshme për vendin tonë, sepse emigracioni përbën rreth një të tretën e votuesve”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›