E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oketa: Po plotësojmë reformat e kërkuara nga NATO

Shqipëria po plotëson reformën e ndërmarra për t’u anëtarësuar në NATO, ndërkohë që SHBA do të vazhdojë të ndihmojë edhe në të ardhmen rrugën e nisur. Këtë garanci ka dhënë dje komandanti i Gardës Kombëtare të Nju Xhersit, gjeneral major Glenn K. Rieth, gjatë takimit me ministrin e Mbrojtjes, Gazmend Oketa. Duke folur për bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe SHBA, komandanti i Gardës Kombëtare të Nju Xhersit theksoi se ushtarët tanë tashmë kanë kohë që po punojnë dhe kryejnë misione paqeruajtëse përkrah me ushtarët shqiptarë, duke shprehur bindjen se këto marrëdhënie bashkëpunimi do të vazhdojnë të forcohen dhe të rriten akoma dhe më shumë në të ardhmen. Ndërkaq ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, theksoi se “jemi gati për të vazhduar bisedimet me NATO-n dhe për të parë të gjitha parametrat që duhen për reformat, që do të bëhen dhe për të transformuar Forcat tona të Armatosura në forca profesioniste”. Gjithashtu, ministri Oketa vlerësoi kontributin e trupave tona ushtarake në misionet paqeruajtëse. “Tani ne kemi trupa ushtarake në Irak, Afganistan, Bosnje-Hercegovinë dhe së afërmi do të çojmë edhe në Çad dhe jemi të vendosur për të kontribuar në luftën kundër terrorizmit kudo dhe përkrah forcave të NATO-s dhe aleatëve të tjerë”, - u shpreh Oketa. Gjenerali Rieth ka ardhur në vendin tonë, në krye të një delegacioni ushtarak, për të konfirmuar marrëdhëniet shumë të mira midis Gardës Kombëtare të Nju Xhersit dhe Forcave tona të Armatosura, si dhe për të diskutuar rreth planit të bashkëpunimit për vitin 2009.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›