Rama, takime në fshatrat e Shkodrës
Bashkëbisedimi për problemet e fshatit ka vazhduar në fshatrat e Veriut të vendit. Kryetari i PS-së, Edi Rama, zhvilloi një takim dje me banorët e fshatit Paçram të Komunës Hajmel. Rama u tha banorëve të këtyre zonave se është koha për t’i dhënë jetë një politike të re, e cila është politika e jetës së përditshme, është politika e komunikimit të drejtpërdrejtë me njerëzit ku ata jetojnë. Kjo, për kreun e PS-së, është politika e diskutimit dhe e vendimmarrjes së përbashkët për rrugëdaljet nga krizat e jetës tonë të përditshme. “Është politika e ringjalljes së shpresës në çdo fshat të Shqipërisë, duke iu dhënë mundësi atyre që jetojnë në fshat, që mund të prodhojnë, që të mund të shkollojnë fëmijët e tyre, të kujdesen për të moshuarit, që të jetojnë normalisht dhe jo të mbijetojnë në mes të varfërisë, në mes të papunësisë, në mes të injorancës, që shkon duke zgjatur hijen e saj, për shkak se dija shkon duke u zmbrapsur për mungesë kushtesh, për mungesë të shkollave, librash, mësuesish, të mundësive për të lëvizur”, - deklaroi ai.