Zheji: Pas Kushtetueses, edhe protesta popullore
Kryetari i Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, Artur Zheji, deklaroi dje se KMK do të apelojë vendimin e KQZ-së për thirrjen e referendumit. Drejtuesit e KMK-së nuk përjashtuan as mundësinë e protestave popullore deri sa të arrihet thirrja e këtij referendumi. “Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës do të vazhdojë me të gjitha mjetet legale dhe të protestës aktivitetin e vet, për arsye se, misioni për mbrojtjen e Kushtetutës që është dhe në themelin e Komitetit tonë, do të vazhdojë i papërkulur pavarësisht nga ky ngërç, apo pavarësisht nga ky kurth antidemokratik që materializua dje me vota të kapura në Komisionin Qendror Zgjedhor”, - tha ai. Pasi e konsideroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si të kapur, Zheji vuri në dukje se tani i takon Gjykatës Kushtetuese që të tregojë nëse është e pavarur apo jo. “Në qoftë se shprehet pozitivisht për kërkesën tonë, atëherë do të jetë një test që kjo gjykatë është në lartësinë e detyrës që ka. Në qoftë se shprehet me të njëjtin sistem që u shpreh dhe Komisioni Qendror Zgjedhor, atëherë është një fatkeqësi tjetër për pavarësinë e institucioneve dhe për statusin demokratik në të cilin nuk gjendet Shqipëria, për fat të keq”, - deklaroi Zheji. Dy ditë më parë, KQZ rrëzoi kërkesën e KMK të firmosur nga nismëtarë, emra të njohur të politikës dhe shoqërisë civile. Sipas arsyetimit të anëtarëve të KQZ, kërkesa e KMK-së kishte për bazë një referendum kushtetues dhe si e tillë procedurat nuk nisin nga Komisioni, por nga Kuvendi dhe vendimi për të bërë ose një referendum i takon Gjykatës Kushtetuese.