I ftohti, gjenden dy persona pa jetë
DURRES/ BERAT - Një 56-vjeçar nga Durrësi ka gjetur vdekjen teksa banesa ku jetonte është përfshirë nga flakët. Viktima quhet Nazmi Alimetka dhe banonte në rrugën “Skënderbej” të ndodhur në lagjen 4 të Durrësit. Zjarri është konstatuar në orën 05:30 dhe sipas burimeve policore vdekja e 56-vjeçarit ka ardhur nga asfiksia dhe jo nga djegia. Në momentin e rënies së zjarrit 56-vjeçari ndodhej i vetëm në shtëpi. Dyshohet se shkëndija ka ardhur nga ndonjë elektro-shtëpiake, që i ndjeri e kishte lënë ndezur për t’u ngrohur. Ndërsa një e moshuar në Berat, e cila jetonte e vetme, u gjet e vdekur si pasojë e një infarkti. Sipas policisë së Beratit, Lutfije Cafuli, banore në lagjen “Muzakaj” ka ndërruar jetë nga ataku në zemër, provokuar nga i ftohti, pasi në banesë nuk i është gjetur asnjë ngrohëse. o.u/d.xh