E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, moti i keq lë në Bari pasagjerët e dy trageteve

 

Moti i keq bllokon për një periudhë të pacaktuar lundrimet e pasagjerëve në itinerarin Durrës-Bari. Mësohet se si pasojë e valëzimeve shumë të forta në pjesën italiane të Adriatikut, dy tragetet e shoqërisë “Tirrenia” kanë preferuar të qëndrojnë në portin e Barit për arsye sigurie. Pasagjerët e imbarkuar që llogariten në afro 120 të tillë, (shumica e të cilëve janë me pasaporta shqiptare) janë akomoduar në traget, por kapiteni ka pezulluar nisjen për arsye madhore. Në orën 08:00 të mëngjesit të së premtes në Durrës duhet të mbërrinim dy tragetet me pasagjerë, të cilët kishin imbarkuar 120 shtetas një natë më parë. Më kot familjarët në Shqipëri kanë dalë në shesh për t’i pritur, pasi asnjë prej anijeve nuk ka mbërritur në orar. Mosnisja e dy anijeve të pasagjerëve konfirmohet edhe nga Kapitaneria e Durrësit. “Me t’u përmirësuar sadopak moti tragetet do të nisen nga Bari”, siguroi Kapitaneria e Durrësit. Ndërsa deti Adriatik po bllokon lundrimet, në zonat e tjera bora ka bllokuar lëvizjen normale të banorëve. Në Llogara, dy autobusë të nisur nga Saranda nuk kanë mundur të kapërcejnë malin e bllokuar, për të udhëtuar drejt Vlorës. Pas dy orësh pritjeje ata janë detyruar të kthehen pas. Situata paraqitet e rëndë dhe në rrethet veri dhe verilindore të vendit. Izolimi për shkak të trashësisë së dëborës ka detyruar Ministrinë e Shëndetësisë të dërgojë dje në mëngjes një helikopter në një fshat të largët në Rrethin e Matit. Pacienti 60-vjeçar, Sali Përgjegja vuan prej vitesh nga silikoza dhe pak ditë më parë kishte dalë nga spitali i Rrëshenit. Gjendja e tij shëndetësore gjatë një nate më parë është përkeqësuar, ndaj familjarët e tij kanë kërkuar ndihmën e strukturave të shtetit. Pas interesimit të deputetit Minxhozi, kryekomunarit të Derjanit Kujtim Kazdeda dhe drejtorit të Shëndetit Publik në Mat, Gani Korsita u mundësua mbërritja e një helikopteri për transferimin e tij në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›