E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lavrov: Nuk flet dot Thaçi në emër të Federatës Ruse

 

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke e paralajmëruar atë se nuk flet dot në emër të Federatës Ruse. Lavrov tha se nuk bëhet fjalë për asnjë njohjeje të pavarësisë së Kosovës nga ana e Rusisë. “Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi shprehë si reale atë që do të dëshironte”, ka thënë Lavrov pas takimit me shefin e diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç në Moskë. “Gjithsesi Thaçi nuk është ai që duhet të shprehet në emër të Federatës Ruse”, ka thënë Lavrov. Vetëm një ditë më parë, në gazetën me emër serbe “Politika”, kryeministri Hashim Thaçi tha se do duhet kohë, por Rusia do ta njohë Kosovën. “Nuk them se njohja nga Rusia do të ndodhë në ndonjë të ardhme të afërt. Por vendimi i Beogradit për ta njohur Kosovën do ta shpejtonte njohjen nga Moska”, ka cituar kryeministri i Kosovës, duke shtuar se “nuk e përjashtoj mundësinë që Rusia të na pranojë si shtet të pavarur para Serbisë”. Ndërkaq zëvendës/ministri i Jashtëm, Vladimir Titov, në njëvjetorin e pavarësisë së Kosovës është shprehur me fjalorin serb, duke e cilësuar Kosovën si “kuazishtet”, i cili sipas tij vetëm po i shton problemet. Sipas zëvendësministrit rus në Kosovë po rritet papunësia, indikatorët ekonomikë po stagnojnë dhe lidhjet integrative brenda saj janë shkëputur. Por ndryshe mendojnë diplomatët evropianë. Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, në një mesazh urimi Presidentit Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrit Hashim Thaçi, me rastin e Ditës së Pavarësisë tha se, “Deklarata e pavarësisë e 17 shkurtit 2008 ka hapur një etapë të re drejt paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe Kosova i ka treguar tërë botës se mund t’i dilte ballë sfidës së pavarësisë dhe të krijojë një shtet të ri, ku normat dhe vlerat evropiane do të ishin njëkohësisht një qëllim dhe një kornizë aksioni”. Sarkozi ka porositur liderët e Kosovës që të fashojnë plagët e së kaluarës.
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›