Basha, mesazh urimi Hillari Klintonit për postin e saj të ri
Tiranë, 23 janar, 13.15, NOA - Me rastin e emërimit të saj në detyrë, Ministri i Punëve të Jashtme, z.Lulzim Basha i dërgoi sot një telegram urimi Sekretares Amerikane të Shtetit, zonjës Hilary Rodham Clinton. “Emërimi Juaj vjen në një periudhë tejet të rëndësishme sfidash madhore. Shqipëria krenohet që është aleate e SHBA-ve dhe është e gatshme të punojë aktivisht e së bashku në përballimin e këtyre sfidave globale dhe rajonale”, ka shkruar ndër të tjera ministri Basha.
Duke shtuar se “gjen rastin për të evokuar me kënaqësi dhe nderim të veçantë ndihmesën e vyer dhe historike që ka dhënë populli amerikan, zonja Klinton, dhe në veçanti Presidenti Klinton për Kosovën”.
“Po ashtu, ne shqiptarët jemi plot mirënjohje të thellë për mbështetjen e SHBA-ve në realizimin e aspiratave tona kombëtare për anëtarësimin në NATO dhe integrimin në BE”, ka përfunduar mesazhi i kreut të diplomacisë shqiptare ndaj shefes së re të diplomacisë amerikane.
n.e/NOA