PS, Bello: Asnjë reagim serioz ndaj skandalit në konsullata

"Në fakt ajo që po ndodh sot në konsullatat shqiptare është vetëm maja e ajsbergut"
Tiranë, 23 Janar, 12:10, NOA - Partia Socialiste ka rikthyer sot sërish në vëmendje korrupsionin në konsullatat shqiptare në Selanik, Athinë, Romë dhe Bari. Sipas deputetit të PS, Marko Bello, “la disa ditë që po transmetohen pamje skandaloze në konsullatat tona në Athine, Selanik, Milano apo Bari, të cilat janë kthyer në çerdhe korrupsioni, ryshfeti dhe abuzimi me detyrën, në dëm të mijëra emigrantëve dhe qytetarëve të ndryshëm shqiptarë, të cilët janë të detyruar të trokasin pranë zyrave konsullore, për probleme nga më të ndryshme”.
Bello tha se, “partia Socialiste reagoi menjëherë ndaj këtij skandali, duke i kërkuar Ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha të marrë masa të menjëhershme për të përmirësuar gjendjen si dhe i kërkoi Prokurorisë të fillojë hetimin kryesisht ndaj punonjësve të përfshirë në akte korrupsioni dhe abuzimi me detyrën”.
“Ne servirëm dokumente zyrtare, të lëshuara nga Konsullata jonë në Athinë, të cilat vërtetojnë dyshimet se militantët e PD që kanë veshur kostumin e konsullit, nuk janë mjaftuar vetëm me ryshfetet që bashkatdhetarët tanë detyrohen t'ua japin këtyre të pangopurve për një shërbim të rëndomtë, por edhe për pakësimin drastik të parave që duhej të derdheshin në arkën e shtetit shqiptar”, tha ai.
“Nëse në vitin 2005, të ardhurat që siguronte kjo konsullatë arrinin në 4 milionë e 50 mijë euro, me ardhjen e qeverisë së Partisë Demokratike këto të ardhura filluan të bien, për të arritur në vitin 2008, në vetëm 851 mijë Euro, ose 5 herë më pak. Është pa dyshim një fakt kokëfortë që dëshmon se si përvetësohen paratë e shtetit nga rrjeti nepotik, i korruptuar dhe kriminal që kjo qeveri ka shtrirë në të gjitha përfaqësitë tona diplomatike. Argumenti i MPJ se të ardhurat nga shërbimi konsullor ka rënë për shkak se tani një pjesë të veprimeve i kryejnë postat, është sa i pasaktë, aq edhe qesharak.
Konsullatat tona në Athinë, Selanik, Milano, Romë apo Bari vuajnë nga ai që njihet si sindromi i Shkëlzenit. Ky ishte konsull në Athinë e njihej si "zotëria 300 Euro". Aq të mëdha ishin bëmat dhe skandalet e tij, saqë ministri e transferoi në Mal te Zi. E njëjta praktikë u ndoq edhe me Nokën, ose "zotëria 150 Euro, i cili pasi e trashi zullumin në konsullatën tonë në Milano, u transferua në Ankara, duke lënë të pikëlluar konsullin e përgjithshëm”, deklaroi Bello.
“Këto nuk janë akuza politike, por fakte reale, të filmuara dhe transmetuara nga media, e cila tregon qartë fytyrën e vërtetë të kësaj mazhorance. Ka një mungesë të theksuar, ose një neglizhencë të qëllimshme të instrumenteve të verifikimit të personelit diplomatik e teknik si të mekanizmave të përgjegjësisë në procesin e seleksionimit dhe emërimit të tyre”, shtoi në fjalën e tij, deputeti i PS-së.
Ai kërkoi dy gjëra nga ministria e Jashtme:
Së pari, organika e MPJ është e stërfryrë, ndërsa dhjetëra punonjës janë kontraktuar jashtë strukturës zyrtare, duke shkelur Ligjin mbi organizimin e Këshillit të Ministrave, VKM mbi organigramën e ministrisë dhe ligjet që rregullojnë shërbimin diplomatik. Vetëm një fakt: Nëse në 2005 kishim 4 punonjës në konsullatën tonë në Milano, sot kemi 14, të gjithë militantë të thekur të PD. Më keq akoma, diplomatët e karrierës, ekspertët dhe profesionistët janë mënjanuar, ata injorohohen nga prurjet e reja në emër të interesave të partisë në pushtet.
Së dyti, MPJ ka 3 vjet që nuk kontrollohet nga KLSH, ndaj gjejmë rastin ti bëjmë thirrje këtij institucioni kushtetues të fillojë urgjentisht kontrollin për t'i dhënë fund shkeljeve ligjore dhe dëmeve të mundshme financiare.
Së treti, MPJ është kthyer në një çerdhe dhe strehë e ngrohtë për fëmijët e ministrave, deputetëve dhe zyrtarëve të tjerë të partisë në pushtet, të cilët dërgohen me bursa jashtë shtetit apo emërohen si diplomatë në përfaqësitë tona jashtë vendit, duke shkelur kriteret e karrierës dhe konkurrencës.
“Është fatkeqësi për një vend që do të anëtarësohet së shpejti në NATO dhe që kërkon statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian të ketë si përfaqësues të tij diplomatike militantë të thekur partiakë, farefis të pushtetarëve dhe për më tepër individë me të kaluar të dyshimtë, që kërkojnë të zhvasin pa hezituar si vëllezërit e tyre, duke diskredituar imazhin e vendit”, tha në fund të deklaratës së tij, Marko Bello.
NOA