“Mafioz kam thënë për Diverolin, jo për Trebickën”
Kryeminsitri Berisha ka sqaruar në konferencën e djeshme për shtyp, se termin “mafioz” gjashtë muaj më parë nuk e kishte për biznesmenin shqiptaro-amerikan Kosta Trebicka, por për bisedën mes këtij të fundit dhe presidentit të AEY, Efraim Diveroli. I pyetur nga gazetarët lidhur me këtë çështje, kreu i qeverisë tha se “në mënyrë absolute, nëse dikush i thotë një tjetri në telefon ‘fuck him’, ‘dërgoji atij disa prostituta’, unë për të nuk mund të kem vlerësim tjetër veçse është një mafioz. Jam shprehur kështu për bisedën mes tyre. Ndërsa atyre që thashë dje në Parlament nuk u heq asnjë presje. Çdo njeri do të shpreheshe si unë po të lexonte atë transkript. Ndërsa dje ato që thashë i kam shprehur me bindjen më të plotë. Duhet të dish të ndash personin nga fenomeni”. Duke folur një ditë më parë në Parlament, kreu i maxhorancës ka vlerësuar denoncimin që bëri Kosta Trebicka rreth gjashtë muaj më parë, si një kontribut real në zbardhjen e një afere. Sipas Berishës, për denoncimin e biznesmenit shqiptaro-amerikan u mor vendimi për ta ndërprerë atë kontratë.