E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha në Dibër: Brenda dy javëve, ndihma financiare



Ministri i Punëve të Brendshme, Lulzim Basha, premtoi dje gjatë inspektimit të zonës së dëmtuar nga tërmeti në Dibër, se brenda dy javësh do të nisë shpërndarja e fondeve për rindërtimin e banesave të dëmtuara. Përfituesit e parë do të jenë pronarët e banesave që u bënë të pabanueshme dhe që ndodhen kryesisht në komunat Gjoricë e Shupenëz. Këtë siguri dha ministri Basha gjatë bisedimit me banorët e zonës që u trondit nga tërmeti i datës 6 shtator. Z. Basha pasi pa nga afër pasojat që shkaktoi tërmeti, u bëri të ditur banorëve dhe drejtuesve të pushtetit lokal të zonës se brena dy javëve, qeveria do të lëvrojë fondin që do u vijë në ndihmë për rindërtimin e banesave të shkatërruara. Ai sqaroi se vlerësimi për 333 godinat e dëmtuara i ka kaluar Ministrisë së Financave për shqyrtim përfundimtar dhe për lëvrimin e fondeve. “Ministria Financave ka në dorë vlerësimin për 333 objekte dhe po bën shqyrtimin përfundimtar dhe më pas do të lëvrojë fondet”, - theksoi ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Drejtuesit e pushtetit vendor e informuan ministrin Basha se pasojat e tërmetit nuk kanë ndikuar në nisjen dhe mbarëvajtjen e vitit mësimor, që ecën normalisht në të gjithë zonat e prekura nga tërmeti. Deri më tani strukturat e emergjencës kanë shpërndarë në këto zona 350 çadra, rreth 500 batanije dhe 8 ton ushqime. Më të dëmtuarit nga tërmeti i disa ditëve më parë janë komunat e Shupenzës dhe Gjoricës, ku ndërtesat janë vlerësuar si të pabanueshme. Qeveria ka shprehur gatishmërinë për t’u ardhur në ndihmë familjeve të dëmtuara, ndërkohë që është bërë dhe vlerësimi i dëmeve materiale dhe në bazë të tyre do të bëhet dhe shpërndarja e parave për çdo godinë të dëmtuar nga tërmeti në zonën e Dibrës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›