E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, Ramës: Mos pengo kthimin e PS-së në Kuvend



Kryeministri Sali Berisha i bëri dje apel kryetarit të PS-së, Edi Rama, që t’i japë fund bojkotit në Kuvend dhe të heqë dorë nga tentativa për destabilitet të vendit. Sipas Berishës, është institucioni i Kuvendit në të cilin bëhen reformat integruese për Shqipërinë dhe zhvillohet dialogu konstruktiv. Ndaj, Berisha kërkoi nga Rama që të rikthejë opozitën në Parlament dhe që të ndalojë bojkotin, të cilin Kryeministri e quajti një vendim absurd, që synon të krijojë destabilitet në vend. Berisha denoncoi faktin se synimi i vetëm i këtij vendimi është për të penguar proceset integruese të Shqipërisë, që sipas tij, është një gabim i pafalshëm për z. Rama. Z. Berisha shfrytëzoi dje inaugurimin prej 65 milionë lekësh të rrugës Fushë Mamurras-fshati Adriatik, për t’i drejtuar sërish thirrje Edi Ramës që të bëjë të mundur hyrjen e grupit të deputetëve socialistë në sallën e Kuvendit. Kryeministri e lidhi këtë dhe me ecurinë e proceseve integruese, të cilat sikundër u shpreh, nuk mund të pengohen në asnjë rast për interesa personale politike. “Shfrytëzoj rastin këtu, në emrin tuaj, t’i bëj edhe një herë thirrje kryetarit të Partisë Socialiste, ta lërë duetin me z. Lakrori, apo “dream team”, siç po e quajnë të rinjtë dhe ta kthejë partinë në Parlament, sepse ky është një vend normal. Kanë ikur kohërat kur Shqipërinë mund ta normalizonin”, - deklaroi z. Berisha. Kreu i qeverisë i kujtoi z. Rama se Shqipëria po ecën e sigurt drejt proceseve të mëdha integruese, është vend anëtar i NATO-s dhe kjo ka qenë arritje historike. Berisha vuri në dukje se këtë vjeshtë do të ketë vendime të mëdha për Shqipërinë në Bashkimin Evropian, vendime që kanë të bëjnë me statusin e kandidatit, vendime të cilat të gjithë shqiptarët pa përjashtim, por, në mënyrë të veçantë, qeveritarët, politikanët, zyrtarët, duhet të jenë në lartësinë e seriozitetit të tyre, vendime që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, lëvizje që shqiptarët e kanë pritur në shekuj. Sipas z. Sali Berisha, është e pafalshme dhe jashtëzakonisht e rëndë që të përpiqesh t’i fusësh shkopinj nën rrota këtij procesi. “Ky nuk është një proces i thjeshtë, një proces i parëndësishëm, por është jetik për të gjitha kombet e Evropës, edhe më jetik është për ne që kemi vuajtur më shumë se kombet e tjera dhe që tani jemi në prag të këtyre zhvillimeve. Ndaj edhe një herë e ftoj zotin Rama të mos pengojë partinë e tij të hyjë në Parlament, aty është vendi i debatit konstruktiv, është vendi i vendimeve, por, mbi të gjitha, është vendi i reformave që prekin çdo qytetar dhe familje shqiptare, sepse kanë të bëjnë me të ardhmen evropiane të tyre dhe të fëmijëve të tyre”, - u shpreh z. Berisha. Ashtu si në takimet e mëparshme me banorë të zonave rurale, Kryeministri dha garanci për financim të çdo projekti që ofrojnë komunat për zhvillimin e zonës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›